Lajme

Kosovë: LDK zyrtarizon kandidaturën e Sibel Halimit për kryetare të Ferizajt


Sibel Halimi, kandidate për kryetare e komunës së Ferizajt

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën e Sibel Halimit për kryetare të komunës së Ferizajt.

Këtë e ka bërë të ditur Dega e LDK-së në Ferizaj, në njoftimin e të cilës thuhet se me Halimin “do të ndryshojë qasja për pushtetin i cili me fitoren e saj do t’i kthehet qytetarëve”.

“Dega e LDK-së në Ferizaj, në mbledhjen e mbajtur para pak çastesh, pas një diskutimi të frytshëm e me procedurë demokratike, unanimisht vendosi që për Kryetare të Komunës së Ferizaj, të kandidojë Sibel Halimi, anëtare e Kryesisë dhe zëdhënëse e Lidhjes  Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në këtë njoftim thuhet se “është nder e respekt për ferizajasit që për herë të parë në zgjedhje lokale për Kryetare të Komunës, ndonjë parti kandidon një femër”, duke u theksuar se me këtë vendim LDK “po bën si gjithherë edhe një histori të re”.

Ndërkohë, kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, gjatë të mërkurës së 28 korrikut pati diskutime përmbajtjesore me kandidatët për kryetarë Komunash dhe kryetarët e Degëve të LDK-së.

“Vullneti dhe vizioni për fitore dhe rikthimin e madh të LDK-së është pika që na bashkon, e na bën që t’i dëgjojmë të gjitha problemet ditore që kanë qytetarët tonë”, ka thënë Abidixhiku.

Sipas tij, LDK e ka potencialin intelektual dhe programor që t’i jap zgjidhje çdo sfide, çdo qyteti apo fshati ku jetojnë qytetarët e Kosovës.

“Padyshim që fitoren dhe rikthimin e madh të LDK-së e bën secili nga ne, me angazhimin tonë të përditshëm e të pandalshëm”, shtoi ai.

Mbledhja e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës bashkë me kandidatët për kryetarë Komunash dhe kryetarët e Degëve të LDK-së.

Ndërkaq, 10 kandidatura për kryetarë të komunave janë zyrtarizuar të premten, gjatë mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.

Përveç këtyre kandidaturave, kryesia e LDK-së ka marrë vendim edhe për formimin e shtabeve të degëve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale.

“Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e LDK-së vendosi që: Lutfi Haziri të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit, Anton Quni kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit, Ilir Ferati kandidat për kryetar të Komunës së Istogut, Hyrie Dobrunaj kandidate për kryetare të Komunës së Deçanit”.

Gjithashtu, në postimin e LDK-së thuhet se “Burim Krasniqi kandidat për kryetar të Komunës së Rahoveci, Besim Hoti – kandidat për kryetar të Komunës së Klinës, Bajrush Hoti kandidat për kryetar të Komunës së Malishevës, Bexhet Xheladini kandidat për kryetar të Komunës së Dragashit, Jeton Biqkaj kandidat për kryetar të Komunës së Kamenicës, kurse Ruzhdi Shehu kandidat për kryetar të Komunës së Junikut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore