Lajme

Kosovë: KQZ-ja refuzon gati shtatë mijë zarfe nga diaspora


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar deri më tani më shumë se 16 mijë zarfe ndërkaq ka refuzuar 6 mijë e 800 të tjera me vota nga diaspora.

Sipas KQZ-së, më shumë se 5 mijë prej zarfeve janë refuzuar për shkak se janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit.

“Arsyet tjera se përse nuk janë aprovuar kanë të bëjnë me faktet se ato janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); se në pakon që e kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide; dhe se kanë dërguar fletëvotime më shumë se dy herë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Aktivitete të tjera të cilat po kryhen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë edhe skanimi i listës përfundimtare të votuesve si dhe futja e të dhënave nga formularët e rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike.

Nga 130 mijë e 168 aplikacione për regjistrim, nga diaspora janë certifikuar 102 mijë e 100 aplikues.

28 mijë e 68 aplikacionet e refuzuara janë raste të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret e aplikimit.

Prej tyre 15 mijë e 933 aplikues janë refuzuar sepse kanë dërguar vetëm formularin e aplikimit për regjistrim, ndërsa 11 mijë e 164 aplikues nuk i kanë dëshmuar identitetin ose kriterin e zotësisë juridike dhe ose aplikacionet për regjistrim kanë qenë të panënshkruara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore