Kosova

Kosovë: Konfiskohen mbi 5 kilogramë marihuanë – arrestohet një person


Ilustrim

Mëngjesin e ditës së diel të 16 janarit Policia e Kosovës përmes një aksioni operativ ka arritur të konfiskoj mbi 5 kilogramë lëndë narkotike të llojit Marihuanë dhe të arrestoj një person si të dyshuar në komunën e Gjilanit.

Policia e Kosovës pas pranimit të informatave se disa persona janë duke transportuar substancë të dyshuar narkotike, kanë realizuar një plan taktik në koordinim me patrullën policore të Stacionit Policor të Novobërdës dhe në udhëkryqin Novobërdë-Gjilan apo më saktësisht në fshatin Llabjan kanë tentuar ta ndalojnë veturën e dyshuar Pollo me targa vendore.

Personat e dyshuar në veturë duke mos ju bindur urdhrave të zyrtarëve policor kanë ikur me shpejtësi nga ai lokacion dhe policia menjëherë është aktivizuar në ndjekjen e tyre.

“Zyrtarët policor kanë arritur ta ndalojnë veturën e dyshuar ku edhe është arrestuar një person, kurse personi tjetër ka arritur të largohet duke tentuar që edhe substancën narkotike ta marrë me vete. Gjatë ndjekjes nga policia, i dyshuari e ka hedhur substancën narkotike me ç’rast janë konfiskuar 5 kg 185 gr. substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, vetura e dyshuar dhe shuma e parave prej 925 euro”, thuhet në njoftim.

Antidroga e Policisë në këtë rast është mbështetur edhe nga patrulla policore Novobërdë, Njësiti K9, Forenzika regjionale Gjilan dhe patrulla policore e stacionit Veri në Prishtinë.

Dëshmitë relevante janë fotografuar dhe janë tërhequr nga njësiti i Krim Teknikës-Gjilan.

Personit të dyshuar tani më i arrestuar i është caktuar masa e ndalimit, përderisa edhe një person tjetër i dyshuar për rastin ndodhet në arrati dhe është në kërkim nga autoritetet policore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore