Lajme

Kosovë: Konfiskohen 40 tonë mish, paralajmërohen edhe sanksione e aksione të tjera


Ilustrim

Vetëm për tre muaj të këtij viti, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar rreth 40 tonë mish jashtë standardit për konsum.

Në vetëm një aksion të fundit, kjo agjenci ka asgjësuar rreth 38 tonë mish, tregon zëdhënësi i këtij institucioni Lamir Thaçi.

Ai ka treguar për Ekonomia Online se ky aksion u mundësua falë bashkëpunimit dhe kontrolleve të vazhdueshme me Policinë dhe Prokurorinë e shtetit.

Më pas inspektori menjëherë ka nxjerrë vendim për konfiskim dhe asgjësim të gjithë sasisë që është gjetur.

“Në bazë të ligjeve në fuqi inspektori menjëherë ka nxjerrë vendim për konfiskim dhe asgjësim të gjithë sasisë që është gjetur në këtë depo ftohëse dhe organet e tjera sigurisht kanë arrestuar personat përgjegjës dhe do të dërgohet fletëparaqitje për gjykatë dhe pastaj gjykata është ajo që vendos për masën ndëshkimore ndaj operatorit të biznesit”, ka thënë Thaçi.

Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit nga përdorimi i mishit jashtë kushteve normale të konsumit, agjencia ka në plan të realizoj edhe aksione të tjera, në mënyrë që të parandalojnë shkelësit e ligjit në këtë lëmi.

“Në këtë fillim vit rasti që është paraqitur ka qenë në regjionin e Pejës por nuk do të thotë që nuk do të ketë raste edhe në vende të tjera. Nuk mund të paragjykojmë se vetëm një regjion ka probleme por kudo që hasen ato inspektorët do të jenë pa kompromis ndaj secilit rast që ka dyshime të bazuara që është duke u vendosur ndonjë produkt ushqimor në treg i cili nuk i plotëson kushtet”.

“Ne jemi të obliguar, kemi mandatin ligjor dhe jemi të thirrur për të kryer detyrat zyrtare dhe këtë do ta bëjmë që t’i mbrojmë konsumatorët”, ka deklaruar Thaçi.

“Ata duhet të ndihen të sigurt sepse po shohin punën tonë çdo ditë, aktivitetet në teren që ne punojmë, por derisa fusha e kontrollit ushqimorë është fushë komplekse ne kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë konsumatorët, bizneset secili që mund të kontribuojë duhet të kontribuojë sepse shëndeti publik është interes nacional dhe ne duhet që të gjithë të punojmë bashkërisht që ta ruajmë shëndetin publik”, ka përfunduar zëdhënësi i AUV-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore