Lajme

Kosovë: Infektologu Tolaj paralajmëron valën e re të COVID-19


“Nëse vaksinimi nuk bëhet me një shpejtësi, atëherë është e mundur që të kemi sërish një ballafaqim me Covid-19 dhe pandeminë deri në fund të vitit”, është shprehur infektologu Ilir Tolaj.

Nëse në Kosovë procesi i vaksinimit do të kishte sukses që deri në muajt e verës të vaksinohen rreth 500 mijë njerëz me të dy dozat e vaksinës anti-COVID, atëherë sipas Tolajt, pjesa tjetër e vitit do të ishte plotësisht e lirë, vetëm me raste sporadike të COVID-19.

Ai ka theksuar se në Kosovë një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve e kanë kaluar Covid-19, prandaj edhe situata ka qenë më e kontrolluar në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Tutje Tolaj, ka deklaruar se Shqipëria është një vend i sigurt për të gjithë ata që duan t’i kalojnë pushimet verore.

“Meqë në Shqipëri janë vaksinuar një numër jashtëzakonisht i madh i njerëzve, ky trend i vaksinimit masiv po vazhdon edhe më tej, numri i rasteve të reja në Shqipëri ka rënë në vlerat e papërfillshme, numri i vdekjeve gjithashtu, dhe për këtë arsye Shqipëria është një vend i sigurt”, është shprehur ai në një intervistë për EkonomiaOnline.

Po ashtu, sipas tij diaspora nuk ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve.

“Nuk ka ndikuar as vitin e kaluar, as gjatë verës, as gjatë pushimeve të fund vitit, dhe nuk pres që do të ndikojë as tani”, ka thënë ai.

Mes tjerash, Tolaj ka potencuar se “janë vërtetuar një varg problemesh të shëndetit mendor të cilat mund të jenë edhe afatgjata si koncentrimi më i vogël, depresioni, harresa dhe çrregullimet e gjumit”.

Në anën tjetër, ai ka treguar se përballja me pandeminë lë një traumë serioze në personat që e kanë kaluar COVID-19 por edhe ata që nuk e kanë kaluar ende atë.

“Ky stres postraumatik mund të ketë pasoja të vazhdueshme për një kohë të gjatë”, përfundoi infektologu Tolaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore