Lajme

Kosovë: Identifikohet një rrugë antike në Vërboc


Në fshatin Vërboc të komunës së Drenasit është identifikuar një rrugë romake mbi 430m e gjatë në sipërfaqe të dukshme të tokës.

Rruga romake është identifikuar në veri-lindje të fshatit nga arkeologu Dr. Arianit Buqinca gjatë një ekspedite me studentët e Departamentit të Arkeologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Pas vëzhgimeve fillestare, gjatë muajit maj, Buqinca së bashku me një ekip evidentues/përnjohës arkeologjik, nga Instituti Arkeologjik i Kosovës kanë kryer përnjohjen arkeologjike verifikuese në arealin e gjerë të lokalitetit të Kalasë dhe Lamës së Kalasë së Vërbocit si dhe rrugës antike në mes tyre.

Ky lokalitet vazhdon të jetë në mbrojtje që nga vitet e ‘70-ta të shekullit të kaluar, ku tanimë është në mesin e lokaliteteve në mbrojtje të përkohshme nga Ministria e Kulturës.

Nga studimet preliminare dhe sipërfaqësore dyshohet se rruga i përket periudhave që lidhen me datimin e kalasë, antikitetit të vonë ose periudhës mesjetare.

Rruga përshkon luginës së përroskës Vërboc, në krahun veri-perëndimorë të rrjedhës së sajë. Në pjesën veriore rruga mbështetet në kodrën e Kalasë së Madhe dhe ndjek luginën paralelisht me përroskën e Vërbocit.

Në Lindje rruga merr drejtimin për në veri në drejtim të hyrjes së Kalasë së Vërbocit, përderisa në perëndim deri në hyrjen e Lamës së Kalasë e cila gjendet në pjesën perëndimore të Lamës.

Strukturat e rrugës janë të dukshme në sipërfaqe në gjatësi prej 430m nga veri-lindja në drejtim të perëndimit.

Në disa segmente të gjatësisë së rrugës vërehen bordurat (lat.crepidenes) në pjesën jugore të rrugës. Rruga ka gjerësi maksimale 4m dhe është pjesërisht e ruajtur.

Në gjendjen e tanishme ka mbijetuar vetëm traseja e shtresës rudus. Pavimenti (Pavimentum) i rrugës ka mbijetuar vetëm në një segment të rrugës.

Në lindje, buzë rrugës, në zonën katastrale të Komunës së Skenderajt, është ndërtuar një gropë për trajtimin e ujërave të zeza.

Punimet në këtë gropë septike duket se nuk e kanë prekur rrugën por, në sipërfaqe të gropës septike të mbuluar është hasur qeramikë e periudhës së bronzit dhe të hekurit.

Nga përnjohjet e viteve të ‘70-ta përmenden rreth 500 puseta/galeri antike të periudhës romake në arealin e Kalasë të cilat duket se lidhen me Kalanë e Vërbocit.

Nga përnjohjet e vitit 2010, janë evidentuar gjurmë të zgjyrës metalike.

Kjo jep indikacion që areali kodrinor-malor i Vërbocit, potencialisht mund të  ketë pas një qendër metalurgjike gjatë periudhës romake dhe rruga antike e Vërbocit duket se lidhet me këtë aktivitet metalurgjik.

Arkeologu Buqinca megjithatë konsideron se ky vlerësim është relativ dhe duhen realizuar hulumtime arkeologjike për të identifikuar drejtimin e saktë, rolin dhe funksionin e sajë.

Meqenëse pjesa më e madhe e rrugës gjendet e ekspozuar në sipërfaqe një hulumtim dhe dokumentim më i detajuar i sajë është mjaft i nevojshëm për identifikimin e karakteristikave të saj.

Nga kronikat romake njohim një rrugë romake që kalonte përmes Lezhës për në Nishit, por traseja e sajë e saktë nuk është zbuluar.

Rruga e Gjytetit të Vërbocit duket se ka karakter lokal por që nuk përjashtohet mundësia të ketë pasur qasje në rrugën Lissus-Naissus të njohur nga literatura antike.

Ndërsa autoritetet lokale të kontaktuara nga Albanian Post kanë deklaruar se ajo zonë ka një pasuri kulturore ku jo zyrtarisht kanë dëgjuar se në atë zonë ka edhe gjetje të tjera.

“Nga informacionet e ardhura nga banorët përreth dyshohet që aty të ketë edhe varreza të antikitetit të vjetër”, ka deklaruar Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Drenasit, Shqipe Zogu.

Zogu tutje ka deklaruar se po sa të vije zyrtarisht ndonjë informacion nga ana e Institutit Albanologjik do të ndërmarrin hapat e duhur.

“Në momentin që do të kemi një gjë të tillë ne do të bëjmë kërkesë tek institucionet gjegjëse që të trajtojnë këtë rrugë dhe gjithsesi ta merr epitetin e saj për renovim dhe rikonzervim të saj”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa, Instituti Arkeologjik së shpejti pritet të dal me një raport lidhur me këtë gjetje ku edhe do t’i informoj institucionet lokale dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore