Kosova

Kosovë: Fushata zgjedhore për balotazh pesë ditë


Partitë politike në Kosovë.

Fushata zgjedhore në Kosovë për subjektet politike dhe kandidatët të cilët do të garojnë në raundin e dytë për zgjedhjet lokale do të jetë pesë ditore, do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë më 12 nëntor.

Kështu ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

“Fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, do të jetë pesë ditore, do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë më 12 nëntor”, bëhet e ditur nga KQZ-ja.

Ndërsa, periudha e votimit nga diaspora do të jetë nga 29 tetori deri më 12 nëntor.

“Ky votim fillon më 29 tetor. Deri para kësaj date, KQZ-ja planifikon të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve, për ta bërë të mundur fillimin e votimit jashtë vendit. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu më 12 nëntor”.

Po ashtu, edhe personat e infektuar me COVID-19 dhe ata me nevoja të veçanta do të kenë mundësinë e votimit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes ekipeve mobile, do të mundësojë Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta në komunat ku do të mbahet raundi i dytë. Deri më 11 nëntor, KQZ-ja do të identifikojë votuesit e infektuar me COVID-19, ndërsa për votuesit me nevoja të veçanta (VNV) në institucione, KQZ-ja do të dërgojë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë nga 2 deri më 5 nëntor, ndërsa kërkesën në Ministrinë e Shëndetësisë do ta dërgojë deri më 10 nëntor”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Ndërkaq, sa i përket vëzhgimit të zgjedhjeve të këtij raundi, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare, misionet diplomatike dhe mediat duhet të konfirmojnë listat me vëzhguesit që duan t’i angazhojnë sërish, si dhe të aplikojnë për vëzhgues shtesë

“Aplikimi për akreditim të vëzhguesve shtesë të subjekteve politike, OJQ-ve, vëzhguesve ndërkombëtar dhe mediave, fillon më 28 tetor dhe përfundon më 8 nëntor”, thuhet tutje në njoftimin e KQZ-së.

Më 21 tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka vendosur që të dërgoj në rinumërim 23 vendvotime në total, të cilat nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta, pasi ka pasur probleme të natyrave të ndryshme kryesisht teknike.

Në zgjedhjet lokale të mbajtura gjatë ditës së diel të 17 tetorit, nga numri i përgjithshëm i 38 komunave të Kosovës, 17 komuna kanë shënuar fitore, ndërsa 21 komuna shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore