Lajme

Kosovë: Disa nga komunat kundërshtojnë masat anti-COVID


Kryetarët e komunave kanë mbajtur takim bashkë me ministrin e shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, me qëllim të diskutimit të masave te reja lidhur me pandeminë COVID-19.

Ministria e Pushteti Lokal në një njoftim në Facebook, ka shkruar se duke qenë në një situatë të rënduar, ministri Vitia ka theksuar se “duhet mobilizim, koordinim dhe qasje më proaktive në raport me pandeminë për shkak të situatës së krijuar”.

Ai gjithashtu diskutoi nevojën e disa masave të reja të cilat në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante duhet të ndërmerren për të ruajtur shëndetin publik.

Pas këtij takimi, ka pasur edhe reagime të cilat janë kundër mbylljes totale si pasojë e pandemisë COVID-19.

“Jemi kategorikisht kundër mbylljes totale. Kjo përkrahje na erdhi edhe nga shumë komuna tjera. Të mendosh për mbyllje totale, është t’ia shkaktosh vetës një greminë të thellë”, ka thënë nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

Ai tutje ka theksuar se pandemia nuk ndalet duke ia vështirësuar gjendjen ekonomike bizneseve, e rrjedhimisht, edhe familjeve të cilat mbahen nga to.

“Ky veprim nga ana e tyre, është shumë i dëmshëm, dhe vetëm sa e keqëson gjendjen ekonomike, në një raport të drejtë bashkë me pandeminë. Duhet t’i ndajmë gjërat bashkë dhe ta nxjerrim më të mirën nga një gjendje e rënduar pandemike”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se në takim është diskutuar për situatën me pandeminë COVID-19 nëpër komuna, e cila, sipas tij, është rënduar ditëve të fundit me rritjen e numrit të qytetarëve të infektuar.

“Diskutuam edhe për masat që pritet t’i ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë ditëve në vijim për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të koronavirusit”, tha ai përmes një postimi në Facebook, por as ai nuk tregoi se për çfarë masash është biseduar.

Spitalet, tha ai, janë mbingarkuar me pacientë, personeli shëndetësor është i dërmuar pas një ballafaqimi më shumë se një vit me virusin Corona, me kushte jo të mira të punës e me mungesë stafi.

“Ministrit Vitia ia shprehëm brengat si nivele lokale dhe paraqitëm nevojat tona se si mund të na ndihmojë niveli qendror për të tejkaluar këtë situatë që është jashtëzakonisht e rënduar. Ministri Vitia shprehu gatishmërinë e tij për të ofruar mbështetjen e nevojshme për komunat për ballafaqim të përbashkët në luftën kundër COVID-19”, tha Bulliqi.

Në këtë takim, shqetësimet e tij për komunën e Rahovecit, i ka ngritur edhe kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi.

Ai në një shkrim në Facebook i ka treguar disa nga kërkesat e tij të bëra gjatë takimit.

“Komuna jonë ka humbur shumë në të gjithë sektorët, dhe masat e reja si ajo e mbylljes totale do të sillte pasoja në ekonominë tonë ( biznese, prodhuesit, përpunuesit, fermerët, bujqit, transport publik si dhe vështirësi serioze edhe në jetën shoqërore”, ka shkruar Latifi.

Ai tutje ka theksuar se duhet të shtohen aktivitetet inspektuese, “të rritet numri i inspektorëve në nivel lokal e qendror, të rriten aktivitetet e policisë në mënyrë që të ketë një zbatim rigoroz të masave që janë në fuqi”.

“Në frymën e mbrojtjes së shëndetit publik, jemi për zbatim më konsekuent të masave që janë në fuqi e të kemi kujdes në aplikimin e masave shtesë”, përfundoi ai.

Ndërkohë ministria e shëndetësisë, ka njoftuar se janë mbi 700 profesionistë shëndetësor dhe nëpunës të institucioneve shëndetësore publike janë vaksinuar me vaksinën AstraZeneca kundër COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore