Lajme

Kosovë: Armend Agolli – kandidat i LDK-së për kryetar në Mitrovicë


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bashkë kandidatin për kryetar të komunës së Mitrovicës

Armend Agolli do të jetë kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Mitrovicës gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë të cilat do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Kështu ka njoftuar Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka thënë se Agolli “është një ndër neurokirurgët më me nam të Kosovës, i cili do t’i prijë garës sonë në ‘Qytetin e Minatorëve’”, ka shkruar Abdixhiku.

“Në Kosovë e Mitrovicë, të gjithë e njohin si një njeri jo vetëm profesionist, por dhe të dashur e me përplot respekt; një udhëheqës modern në secili angazhim të tij. Është koha që përvojën e madhe të tij ta kthejmë në shërbim të qytetarëve në Mitrovicë, qyteti që ka nevojë për transformim rrënjësisht”, ka shkruar Abdixhiku.

Po ashtu Kryetari i LDK-së është shprehur i lumtur që “profile të tilla – emra me nam botërorë / na bashkohen e bashkudhëtojnë në rrugëtimin e madh për kthimin e LDK-së”.

Ndërkohë pak minuta më parë, LDK ka zyrtarizuar edhe kandidaturën e Sibel Halimit për kryetare të komunës së Ferizajt.

Këtë e ka bërë të ditur Dega e LDK-së në Ferizaj, në njoftimin e të cilës thuhet se me Halimin “do të ndryshojë qasja për pushtetin i cili me fitoren e saj do t’i kthehet qytetarëve”.

“Dega e LDK-së në Ferizaj, në mbledhjen e mbajtur para pak çastesh, pas një diskutimi të frytshëm e me procedurë demokratike, unanimisht vendosi që për Kryetare të Komunës së Ferizaj, të kandidojë Sibel Halimi, anëtare e Kryesisë dhe zëdhënëse e Lidhjes  Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, 10 kandidatura për kryetarë të komunave janë zyrtarizuar të premten, gjatë mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.

Përveç këtyre kandidaturave, kryesia e LDK-së ka marrë vendim edhe për formimin e shtabeve të degëve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale.

“Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e LDK-së vendosi që: Lutfi Haziri të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit, Anton Quni kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit, Ilir Ferati kandidat për kryetar të Komunës së Istogut, Hyrie Dobrunaj kandidate për kryetare të Komunës së Deçanit”.

Gjithashtu, në postimin e LDK-së thuhet se “Burim Krasniqi kandidat për kryetar të Komunës së Rahoveci, Besim Hoti – kandidat për kryetar të Komunës së Klinës, Bajrush Hoti kandidat për kryetar të Komunës së Malishevës, Bexhet Xheladini kandidat për kryetar të Komunës së Dragashit, Jeton Biqkaj kandidat për kryetar të Komunës së Kamenicës, kurse Ruzhdi Shehu kandidat për kryetar të Komunës së Junikut”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore