Lajme

Kosova Zgjedh


Ilustrim-Kosova Voton

Në Kosovë të drejtë vote kanë 1 milion e 885 mijë e 448 persona në zgjedhjet lokale të dielës së këtij 17 tetori.

Ndërsa për herë të parë në këto zgjedhje do të votojnë 41 mijë persona.

Por, gjatë këtyre zgjedhjeve do të kenë të drejtën e votës 90 mijë e 586 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të po këtij viti.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë territorin e Kosovës është 883, me gjithsejtë 2 mijë e 477 vendvotime.

KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 89 subjekteve politike (32 parti politike; 1 koalicion; 33 iniciativa qytetare; 23 kandidatë të pavarur) dhe 552 kandidatëve të tyre.

Mirëpo, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit është 5 mijë e 364 kandidatë, ku nga të cilët 166 kandidatë për kryetar të komunave dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.

Mbi 30 mijë vëzhgues

Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar për monitorimin e zgjedhjeve lokale është rreth 30 mijë vëzhgues.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas listës, KQZ-ja ka akredituar:  18 ambasada me 146 vëzhgues; 6 organizata ndërkombëtare dhe institucione me 37 vëzhgues; 1 institucion publik me 43 vëzhgues; 26 organizata jo-qeveritare vendore me 1 mijë e 713 vëzhgues; 23 subjekte politike  me 26 635 vëzhgues; dhe 63 media vendore dhe ndërkombëtare me 626 vëzhgues.

KQZ ka njoftuar se për Kryetarë të Komunave janë shtypur gjithsejtë 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, ndërsa për zgjedhjet për Kuvende Komunale janë shtypur po ashtu 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime. Pra, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve është 3 milion e 397 mijë e 200 fletëvotime.

KQZ-ja, ka shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se sa ka votues apo në përqindje 9,91%. Kjo sipas tyre është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Fletëvotimet për zgjedhjet e 17 tetorit

Në zgjedhjet e fundit, ato parlamentare (të 14 shkurtit 2021) KQZ-ja kishte shtypur rreth 178 mijë fletëvotime më pak se numri i votuesve.

Procesi i Votimit do të zhvillohet në 38 komuna

Komuna me më së shumti votues është ajo e Prishtinës, me gjithsejtë 195 mijë e 978 votues, ku ka 52 qendra të votimit me 238 vendvotime.

Komuna e cila e pason Prishtinën është ajo e Prizrenit me 173 mijë e 359 votues, me 71 qendra të votimit me 221 vendvotime.

Kurse komuna me më së paku votues është ajo e Kllokotit, m gjithsejtë 3 mijë e 675 votues me 5 qendra të votimit dhe 7 vendvotime.

Lista e votuesve sipas komunave

KQZ e gatshme për procesin zgjedhor

Sipas shefit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjithçka është gati për mbajtjen e procesit zgjedhor në vend.

“Në ditën e zgjedhjeve do të jemi në koordinim dhe do të reagojmë në çdo situatë që ndërlidhet me procesin zgjedhor”, kishte thënë Radoniqi në një konferencë për media ku prezent ishin edhe nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Sipas tij, ruajtja e integritetit të procesit zgjedhor dhe besueshmëria e qytetareve në procesin zgjedhor janë synimet të përbashkëta.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve-KQZ

Të gjitha institucionet në “Mbrojtjen e votës së qytetarit”

Prokuroria e Shtetin ka marrë të gjitha masat përgatitore që me 17 tetor të jetë në nivel të detyrës.

Laura Pula nga ky institucion ka treguar se janë angazhuar gjithësejtë 80 prokurorë kujdestarë së bashku me stafin mbështetës të cilët do të kooperojnë në mënyrë të rregullt dhe në kohë reale së bashku me hetuesit e Policisë së Kosovës në të gjitha 38 Komuna të Kosovës.

Ajo ka shtuar se Prokuroria e Shtetit në këtë proces që nga viti 2013 e ka vetëm një moto “Mbrojtja e votës së qytetarit”.

Kurse nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samehdin Mehmeti, ka deklaruar se do të përdorën të gjitha mjetet në dispozicion që të sigurohet ruajtja e rendit dhe qetësisë publike, para, gjatë dhe pas votimeve.

Mehmeti ka thënë se në ditën e zgjedhjeve, numri i zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë operacion është 883 në qendrat e votimit, ku do të ketë mbulim 24 orë.

Policia e Kosovës

“1 mijë e 766 zyrtarë policorë, ku në 38 depo komunale, do të jenë 152 zyrtarë policorë, nga 194 ekipe mobile do jenë 194 zyrtarë policorë, njësit reaguese do të mbulohen nga 800 zyrtarë policorë, ndërsa do të jenë të asistuar nga 240 pjesëtarë të njësisë speciale dhe 200 pjesëtarë të njësive të reagimit të shpejtë”.

Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka treguar në detaje se për ditën e zgjedhjeve në nivel vendi ka angazhuar gjithsejtë 35 gjyqtarë kujdestarë.

“Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, janë caktuar shtatë gjyqtarë kujdestar, nga Departamenti Special është një gjyqtarë, Departamenti i Krimeve të Rënda është një gjyqtarë si dhe pesë gjyqtarë në Departamentin e Përgjithshëm që mbulojnë gjithë territorin e Prishtinës”.

“Në Gjykatën Themelore të Gjakovës janë caktuar katër gjyqtarë kujdestar, në Gjykatën Themelore të Ferizaj, janë caktuar katër gjyqtar kujdestar, në Gjykatën e Pejës, janë caktuar pesë gjyqtarë kujdestar, në Gjykatën e Prizrenit janë caktuar katër gjyqtar kujdestar, në Gjykatën Themelore të Gjilanit janë caktuar pesë gjyqtarë kujdestar, dhe në Gjykatën e Themelore të Mitrovicës, janë caktuar gjashtë gjyqtarë kujdestar”, ka thënë Dërmaku.

Ilustrim-Zgjedhjet Lokale 17 tetor 2021

Historik i zgjedhjeve lokale në Kosovë

Kosova organizon për herën e tetë zgjedhjet lokale në vend që nga viti 2000, ndërsa pas pavarësisë së vendit zgjedhjet e 17 tetorit janë të gjashtat.

Deri në vitin 2007 Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk njihte kundërshtarë. Pastaj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mori pushtetin dhe për dy mandate nuk e lëshoi. Në anën tjetër, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kishte ngritur votën e saj, pastaj edhe Lëvizja Vetëvendosje po ashtu.

Zgjedhjet lokale  2009 

Në zgjedhjet lokale të vitit 2009, ishte PDK ajo që fitoi shumicën e komunave në Kosovë, kurse LDK kishte fituar kryeqytetin.

PDK kishte fituar në raundin e parë në pesë komuna, në Drenas, Skenderaj, Ferizaj, Shtime dhe Zubin Potok, komunë kjo me shumicë serbe, por serbët nuk kishin marrë pjesë në zgjedhje.

LDK kishte fituar në Prishtinë, Podujeve dhe Fushë Kosovë.

AAK kishte fituar në Deçan dhe Gjakovë dhe kryesonte me vota komunat veriore me shumicë serbe, Zveçan e Leposaviç, ku pjesëmarrja e votuesve serbë ishte shumë e vogël.

Zgjedhjet lokale  2013

Në zgjedhjet e vitit 2013, kryeqytetin e kishte fituar Lëvizja Vetëvendosje. Ndërsa LDK i kishte fituar tri komuna të mëdha, Gjilanin, Ferizajn dhe Pejën.

PDK kishte fituar në Prizren, mirëpo kishte humbur komunën e Mitrovicës, e cila do të udhëhiqet nga Aleanca për Kosovën e Re (AKR), AKR. Kjo parti kishte fituar edhe në qytetin e Gjakovës.

Rezultatet e subjekteve politike në qytetet e mëdha të vendit ishin disi të balancuara.

Zgjedhjet lokale  2017

Fituesja më e madhe e zgjedhjeve në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ishte LDK.

Pas raundit të dytë të zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 8 komuna. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 komuna apo 4 më shumë se sa që i kishte në mandatin paraprak. Partia Demokratike e Kosovës i kishte fituar vetëm 5 komuna, por që kishte rikthyer qytetin e Ferizajt, ndërsa e kishte humbur Prizreni në një garë shumë të ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje. Kurse LVV kishte fituar tre komuna.

Nisma dhe AKR kishin fituar nga një komunë, ndërsa dy komuna do të qeveriseshin nga kandidatë të pavarur.

LDK nga viti 2017 ka udhëheq me qytetin e Pejës, Lipjanit, Fushë Kosovës, Vitisë, Gjilanit, Istogut, Vushtrrisë dhe Podujevën (komun e cila shkoi në zgjedhje të parakohshme dhe e fitoi LVV në vitin 2020).

AAK ka udhëhequr deri më tani me Deçanin, Junikun, Gjakovën, Klinën, Suharekën, Rahovecin dhe Obiliqin( Kryetari i kësaj komune tashmë që ishte nga ky subjket politik, në zgjedhjet e 17 tetorit ka kandidua si Iniciativë qytetare).

PDK deri më tani ka udhëhequt me qytetin e Drenasit, Dragashit, Kaçanikut, Shtimes dhe Ferizajn.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kishte udhëhequr me Prishtinën( por pas ndarjes së partisë-Kryetari i kryeqytetit ishte tërhequr duke u bë pjesë e Partisë Socialdemokrate), Prizrenin dhe Kamenicën( Gjithashtu edhe kryetari i kësaj komune ishte tërhequr duke u bë pjesë e Partisë Socialdemokrate).

Nisma socialdemokrate ka udhëhequr me qytetin e Malishevës, AKR me qytetin e Mitrovicës së Jugut( por kryetari i kësaj komune kishte kaluar në LVV dhe në zgjedhjet e 17 tetorit ka garuar nga ky subjekt politik).

Dy qytete deri më tani janë udhëhequr nga kandidatë të pavarur, qyteti i  Sekenderajt dhe qyteti i Hanit të Elezit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore