Kosova

Kosova ua ndaloi pensionet veteranëve të UÇK-së nga Shqipëria, sqarohet ministri


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar pas lajmeve se një pjesë e veteraneve të Shqiperisë kanë marrë pensionet, duke thënë se Qeveria vetëm po zbaton ligjin dhe të gjithë veteranët e UÇK-së që i plotësojnë kushtet, përfshirë edhe ata në Shqipëri, vazhdojnë të marrin pensionin e veteranit.

Murati përmes një postimi në Facebook ka thënë se pensionet janë ndalur për disa veteranë të cilët kanë të ardhura të tjera, kriter ky që aplikohet edhe ndaj veteranëve të UÇK-së në Kosovë.

“Veteranët e UÇK-së që i plotësojnë kushtet sipas ligjit, përfshirë edhe ata në Shqipëri, vazhdojnë të marrin pensionin e veteranit”, ka shkruar Murati.

Ai theksoi se në momentin që një veteran ka të ardhura tjera, nuk mund të përfitojë nga pensioni i veteranit.

“Këtë e përcakton ligji, pavarësisht vendndodhjes. Andaj nuk qëndron ajo që po tentohet të paraqitet në disa media”.

Murati shtoi se, “Nuk qëndron ajo që po tentohet të paraqitet në disa media”.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Shqipëria kanë një muaj që nuk marrin pension për kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës. Pensionet e tyre janë ndaluar nga Qeveria e Kosovës.

Për Albanina Post nga OVL e UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se Qeveria është arsyetuar duke u thirrur në ligj.

“Ata thirren në ligj”. Ndërsa sa i përket ndalesave që u janë bërë ka thënë se nuk e din me saktësi se a bëhet fjalë që një gjë e tillë është ndaluar “që një muaj apo më shumë se një muaj”.

Albanina Post lidhur me këtë çështje ka kontaktuar edhe me kryetarin e Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së në Tiranë, Spiro Butka.

“Në atë reagim ankimor që kemi bërë janë sqaruar të gjitha shkeljet që ka bërë Albin Kurti e ministri për Punë Sociale i Qeverisë së tij”, tha Butka.

Ai ka deklaruar se reagimin-ankimor e kanë dërguar në adresë të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministrit, Kurti dhe të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje dhe kjo e “etablon mosmirënjohjen e tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore