Kosova

Kosova të paraqesë propozimet për Asociacionin, thotë diplomati gjerman


Jorn Rohde, ambasador i Gjermanise ne Kosove

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që t’i paraqesë propozimet e saj në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka ritheksuar se nuk do të krijohet një entitet brenda Kosovës si “Republika Serbe” në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Kosova duhet të veprojë për këtë dhe ju e dini, sa më shpejtë të vendosë diçka në tavolinë që është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, aq më shumë do të çmitizojë dhe relaksojë bisedën”, ka deklaruar ai për Dukagjinin.

Diplomati gjerman ka nënvizuar se institucionet në Prishtinë, e kanë obligim formimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën.

“Këtë e ka thënë edhe i dërguari im special për Ballkanin kur ishte në Beograd të premten dhe themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është obligim kontraktues i Kosovës, i ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe kur thashë më parë se çështja e targave dhe kartave të identitetit është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, kështu është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe”.

Kurti flet për “Zajednicën”: S’ka më Asociacion që e Bosnjëzon Kosovën

Por, sipas kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, çështja e implementimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk është më temë në Kuvendin e Kosovës.

E për shkak se një gjë e tillë nuk është më temë diskutimi, shpejgon Kurti, në Kuvendin e Kosovës nuk ka më gazë lotsjellës, trazira e ndërprerje të seancave.

“E kam thënë edhe më herët, unë nuk kam qenë kurrë radikal për nga karakteri po për nga tema. Tash nuk jam radikal jo se jam bë kryeministër, po se nuk ka Zajednicë më këtu. Nuk ka Zajednicë, s’ka gaz lotsjellës. Nuk është çështje e karakterit tim, po e temës suaj”, ka deklaruar ai në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Albin Kurti

Së fundmi që u deklaruar për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Serbi, Christopher Hill.

Sipas diplomatit veteran amerikan, për çështjen e Asociacionit “natyrisht që do të ketë një lloj marrëveshjeje”, dhe se për një gjë të tillë janë të informuar të dyja palët.

Ai duke u bazuar në verdiktin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Asociacionit, kishte theksuar se në Evropë ka shumë modele të ngjashme me Asociacionit, të cilat mund të përdoren si modele.

“Është e përshtatshme që evropianët të përfshihen në këtë, sepse ata i njohin shumë mirë këto modele”, kishte thënë Hill për agjencinë e lajmeve “Beta” duke nënvizuar faktin se SHBA-të e mbështesin plotësisht përpjekjet e Bashkimit Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore