Lajme

Kosova solidarizohet me Japoninë pas termetit


Ilustrim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se populli i Kosovës solidarizohet me atë japonezë pas tërmetit 7.6 shkallë të Rihterit pas tërmetit afër bregut Ishikavas pak pas orës 04:00 të mëngjesit të 1 janarit.

“Zemrat tona janë me të gjitha komunitetet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Japoni. I shprehim ngushëllimet tona të përzemërta familjeve që humbën të dashurit e tyre”, shkroi Osmani në platformën sociale, X.

Numri i të vdekurve në Japoni është rritur në 48. Numri mund të rritet më tej ndërsa përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë, thonë zyrtarët.

Më shumë se 140 pasgoditje vazhduan të tronditnin Japoninë që nga mëngjesi i së martës, sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze, e cila paralajmëroi se lëkundjet e forta mund të vazhdojnë në ditët në vijim.

Qindra ndërtesa janë shembur në zonat e goditura nga tërmeti, duke përfshirë prefekturat Niigata, Toyama, Fukui dhe Gifu, duke lënë shumë të plagosur.

Në epiqendrën e tij në gadishullin Noto, dëmtimi i rrugëve ka bërë më të vështirë punën e ndihmës dhe shpëtimit, ndërsa më shumë se 30 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike.

Ekipet e shpëtimit po përpiqen të nxjerrin më shumë të mbijetuar nga ndërtesat e shembura, të penguara nga rrugët e dëmtuara dhe të bllokuara rëndë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore