Lajme

Kosova s’ka qendër të veçantë për djegie – mbingarkohet Kirurgjia Plastike


Pacientë të djegieve të shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Foto: REL.

Kosova s’ka ndonjë qendër të veçantë apo të specializuar për djegie.

Rastet të cilat kanë të bëjnë me djegie trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike Rekonstruktive dhe Estetike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, por disa raste edhe jashtë vendit.

Klinika e Kirurgjisë Plastike, merret me trajtimin e rasteve të tumoreve të lëkurës dhe indeve të buta, patologji të shuplakave, por që më së shumti raste të djegieve dhe pasoja të tyre, thonë mjekët në këtë institucion.

Sipas drejtoreshës së Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi, një qendër e specializuar për djegie është bërë domosdoshmëri.

“Kostoja për trajtimin e tyre është e madhe – mbi 100 mijë euro”

“Do të thotë, është kosto që i kushton buxhetit të shtetit, por edhe buxhetit të pacientit”, thotë Zatriqi për Radion Evropa e Lirë.

Në klinikën që udhëheq ajo, punojnë 13 kirurgë plastikë, të cilët merren edhe me raste të djegieve por që rastet që kanë më pak urgjencë, trajtohen me vonesë.

“Qe disa javë nuk mund të kryhet asnjë operacion tjetër, sepse duhet t’u japim prioritet djegieve”, thotë ajo.

Sipas përllogaritjeve të Zatriqit, ndërtimi i një të tille në Kosovë do të kushtonte 6 deri në 7 milionë euro dhe do të shërbente edhe për pacientë të vendeve afër.

Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, i cili ka nën menaxhim QKUK-në dhe spitalet rajonale, thonë se planet për një qendër për djegie ekzistojnë.

Por që nuk japin asnjë detaj për kohën se kur do të mund të ndërtohet.

“Në planin e menaxhmentit të SHSKUK-së, në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë, drejtuesit e klinikës dhe profesionistët e fushës përkatëse, parashihet që të ndërtohet dhe funksionalizohet një qendër e tillë”, thuhet nga ShSKUK-ja.

Kurse, nga Fondi për Sigurime Shëndetësore që funksionon nën mbikëqyrjen e Qeverisë së Kosovës, thonë se gjatë periudhës 2019-2023, njëmbëdhjetë persona me plagë nga djegiet kanë aplikuar për mbështetje financiare për t’u trajtuar jashtë vendit.

Vetëm dy prej tyre janë financuar.

“Për këto dy raste, Fondi ka ndarë 60 mijë euro për trajtimin e nevojshëm shëndetësor”, thuhet shkurtimisht në një deklaratë dhënë REL-it.

As Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut nuk kanë qendër të djegieve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore