Kosova

Kosova shembull se si NATO e BE-ja bashkëpunojnë ngushtë, thotë Stoltenberg


Jens Stoltenberg

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Kosova është shembull se si Aleanca dhe Bashkimi Evropian bashkëpunojnë ngushtë mes vete, teksa ka vlerësuar se propozimi për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – i pranuar parimisht nga Kosova – “mund të jetë rruga përpara që të tentohet të gjendet një zgjidhje e të bëhet përparim brenda dialogut”.

Këto komente, Stoltenberg, i ka bërë në një konferencë për media të mërkurën në Bruksel, ku ka folur për tensionet e krijuara kohëve të fundit në Veri të Kosovës.

“Kemi parë incidente serioze në Kosovë. Vetëm sa e kam vizituar Kosovën. Ne kemi parë në pranverë sulm ndaj NATO-s, 93 ushtarë të NATO-s u lënduan dhe disa prej tyre kanë marrë lëndime që u ndryshojnë jetën. Është totalisht e papranueshme”, tha Stoltenberg.

“Po ashtu e pamë incidentin në Bankë, ku u vranë njerëz. Është serioze dhe tregon për sfidat me të cilat përballemi në Kosovë”, theksoi ai, derisa shtoi se është e rëndësishme që të dyja palët, pra Kosova dhe Serbia, të deeskalojnë e të përmbahen nga veprimet që rrisin më tepër tensionet, “e të frenohen nga çdo retorikë që mund të rrisë tensionet”.

Ky, pohoi ai, “është mesazhi im, dhe ky ishte mesazhi im në takimet në Prishtinë e Beograd”.

“Mesazhi është që Prishtina e Beogradi duhet të angazhohen në frymë të mirë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kosova është shembull se si NATO e BE-ja po punojnë ngushtë së bashku. BE-ja është duke drejtuar angazhimin diplomatik, e ne jemi prezentë me mijëra trupa në terren”.

Ndërsa, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se komuniteti transatlantik nuk dëshiron të shoh rikthimin e konflikteve në rajon, duke shtuar se NATO-ja u është përgjigjur vendosmërisht aktorëve që synojnë të destabilizojnë pjesën Veriore të Kosovës, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator.

Antony Blinken

Këto komente ai i ka bërë pas takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s këtë të mërkurë në Bruksel të Belgjikës, derisa konfirmoi se një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe rrjedhës së ngjarjeve të fundit në Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet, sidomos mes Kosovës dhe Serbisë.

“Një gjë që ne nuk duam të ndodhë në të ardhmen është kthimi i konflikteve në rajon. NATO-ja ka luajtur rol kyç që t’i ndihmojë shtetet e rajonit të bëjnë përparim në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe në stabilitetin e gjerë evropian”, ka deklaruar kryediplomati amerikan.

“NATO është përgjigjur me vendosmëri ndaj aktorëve që synojnë të destabilizojnë veriun e Kosovës. Ne, siç e kemi edhe më herët gjatë këtij viti, kemi dislokuar trupa shtesë në [misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë] KFOR”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore