Sport

Kosova renditet e para në Kampionatin Evropian të xhudos


Kampionati Evropian i xhudos, që u mbajtë nga data 16 deri më 18 prill në Lisbonë të Portugalisë, ka qenë fantastik dhe historik për shtetin e Kosovës.

Në këtë kampionat, Kosova ishte shteti më i suksesshëm, duke arritur më së shumti medalje nga 45 shtete sa ishin pjesëmarrëse gjithsej.

Me dy medalje të arta, një të bronztë dhe dy vende të pesta, xhudistët e udhëhequr nga trajneri Driton Kuka e kanë vënë emrin e shtetit të Kosovës në vend të parë.

Akli Gjakova u shpall Kampion i Evropës për herë të në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Njëherësh, ai u bë edhe xhudisti i parë nga Kosova që fitoi medalje në Evropë, në kategorinë e meshkujve.

Akili, në rrugëtimin deri në finale, shënoi pesë fitore.

Raundin e parë e kaloi pa luftë, në të dytën mundi Ido Levin të Izraelit, në raundin e tretë eliminoi gjermanin Anthony Zingg, ndërsa në çerekfinale mposhti Musa Mogushkov të Rusisë.

Në gjysmëfinale pejani e mposhti zviceranin, Nils Stamp, ndërsa në finale mundi në shënim të artë izraelitin, Tohar Butbul.

Ndërsa, krahas medaljes së artë, Akili fitoi edhe 700 pikë olimpike Tokio 2020.

Të artën, në Lisbonë e fitoi edhe Distria Krasniqi, duke u shpallur Kampione e Evropës në kategorinë deri në 48 kilogramë.

Deri në finale, 25-vjeçarja kaloi italianen Francesca Giorda, izraeliten Shira Rishony dhe rusen Sabina Giliazova.

Ndërsa, të artën e fitoi pa u ndeshur fare, pasi që kundërshtarja e saj, Daria Biolodid, hoqi dorë nga finalja për shkak të një lëndimi.

Për Krasniqin ky është titulli i parë evropian për seniorë, deri sa ajo kishte fituar një medalje të argjendtë në vitin 2018 dhe një të bronztë në vitin e kaluar.

Ndërsa, Nora Gjakova, u rendit e treta në kategorinë deri në 57 kilogramë, duke fituar medaljen e bronztë në Lisbonë.

Gjakova të premten raundin e parë të kategorisë deri në 57 kilogramë, e kaloi pa përballje, në të dytin fitoi ndaj spanjolles Ubasart, kurse në gjysmëfinale u mposht nga portugezja Moteiro.

Deri sa pa medalje në Kampionatin Evropian, mbetën Laura Fazliu dhe Loriana Kuka, mirëpo ato arritën që të zëjnë vendin e pestë.

Pa medalje mbeti edhe Flaka Loxha, e cila ishte e pafat, pai që u mposht në raundin e parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore