Film

Kosova nuk e propozon asnjë film për Akademinë e Çmimeve “Oscars 2024”


Asnjë film nga Republika e Kosovës nuk do të jetë pjesë e propozimeve për garën e nominimeve në kategorinë e “Filmave Ndërkombëtarë” në Akademinë e Çmimeve “Oscars 2024” – kështu vendosi në mënyrë unanime komiteti përzgjedhës.

Lajmin e ka konfirmuar Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), e cila përmes një postimi në faqen e Facebook-ut, ka bërë të ditur se vendimi në fjalë u ekzekutua nga anëtarët e komitetit përzgjedhës, përcjell AlbanianPost.

“Kosova këtë vit nuk propozon film për garën e nominimeve në kategorinë e filmit ndërkombëtar për edicionin e radhës të ‘Oscars 2024’”, u tha në njoftim.

“Për një dekadë të tërë, Kosova ka zhvilluar bashkëpunime dhe vazhdon si e tillë të rrisë marrëdhëniet me Akademinë e Çmimeve Oscars dhe komunitetin e tij vlerësues. Por pas trajtimit të aplikimeve të këtij viti, anëtarët e komitetit selektues kanë vendosur mos të propozojnë film për edicionin e ‘Oscars 2024’”, u tha tutje.

Sipas anëtarëve të komitetit përzgjedhës, aplikimet e sivjetshme “kanë dëshmuar prezencë të talentit vibrant, kërkues e provokativ në ardhje” – por të njëjtat, sipas tyre, “kanë dështuar të reflektojnë mjaftueshëm në standardin e prurjeve të deritanishme”.

“Pas konsiderimit të detajshëm të aplikimeve të këti viti, komiteti selektues ka konstatuar se veprat në konkurrencë deshmojnë prezencë të talentit vibrant, kërkues e provokativ në ardhje, por që nuk reflektojnë mjaftueshëm standardin e prurjeve të deritanishme në kinematografi”, thuhet në deklaratë.

“Si rezultat i kësaj, krahas sukseseve të vazhdueshme të filmave, komiteti ka vendosur unanimisht që në edicionin e Oscars 2024 të mos dërgojë përfaqësues nga Kosova”, shkruan tutje QKK-ja.

Sipas QKK-së, në këtë vendim nuk u harrua të theksohet fakti se kualiteti i punëve të filmbërëseve kosovar të prezentuara në propozimet e filmave për “Oscars”, deri tani ka ndërtuar reputacionin e kinematografisë tonë në këtë platformë globale, duke u afruar madje edhe deri te 15-shja e rrethit të ngushtë të filmave, siç ishte “Zgjoi” në vitin 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore