Kosova

Kosova në përballje me dukurinë e falsifikimit të testeve PCR të COVID-19


Test COVID-19 - Ilustrim

Kosova ditëve të fundit po përballet me dukurinë e falsifikimit të testeve PCR COVID-19, kryesisht nga ata që ia mësyjnë vendeve të Bashkimit Evropian, ku testet e tilla nevojiten si dëshmi që ata nuk janë të infektuar me COVID-19.

Shaban Osmanaj, zëvendës i detyrës së Inspektoratit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, në një përgjigje për Albanian Post deklaroi se gjatë këtyre ditëve është ndaluar përkohësisht ushtrimi i veprimtarisë shëndetësorë tek disa laboratorë privat.

“Gjatë këtyre ditëve i është ndaluar përkohësisht ushtrimi i veprimtarisë shëndetësore, disa laboratorëve private shëndetësore në 5 qytete të Kosovës”.

Osmanaj, deklaroi se gjatë inspektimeve në disa laborator janë konstatuar shkelje të ndryshme.

“Gjatë inspektimeve të planifikuar apo më kërkesë kemi hasur në rastet ku laboratorët private shëndetësore, kanë ofruar shërbime shëndetësore jo komforë dispozitave ligjore në fuqi”, ka thënë Osmani.

Shkelje si, “lëshim i rezultateve të analizave pa prezencë të profesionistit shëndetësor (biokimistit klinik), mos kalibrim i aparaturave mjekësore për një kohë të gjatë, mos evidentim të test-kontrollit të përditshëm para fillimit të punës, mos licencim në MSh-së për kryerjen e shërbimit për testim të SARS-Cov-2, pastaj falsifikim të rezultatit të analizës për PCR-Test”.

Osmani bëri të ditur, se për raste të tilla janë marrë masa ligjore.

“Gjoba administrative (dënime me gjobe), mbyllje e përkohshme e institucionit deri në plotësim të kushteve për ushtrimin e veprimtarisë, ndalim të ushtrimit të veprimtarisë (në rastin kur nuk kanë pasur autorizim nga MSH-ja për të kryer PCR-testet), si dhe procedim të lëndës për hetim të rastit në organet relevante)”.

Ndërsa, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post nga policia e Kosovës është bërë e ditur se për falsifikim të testeve të Coronavirusit janë raportuar 12 raste.

“Në Kosovë, për falsifikim të testeve PCR Covid-19 janë raportuar dhe iniciuar 12 raste”, bëhet e ditur nga Policia e Kosovës në një përgjigje për Albanian Post.

Policia bën të ditur se, “janë të identifikuar 26 persona të dyshuar, 15 prej të cilëve janë arrestuar ndërsa ndaj 6 personave është vazhduar në procedurë të rregullt, 5 persona me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në vet izolim”.

Ndërsa njohësi i shëndetësisë Bujar Vitia, në një prononcim për Albanian Post rastet e falsifikimi të testeve të Coronavirusit i quan skandaloze.

“Rastet e falsifikimit të testeve Covid-19 janë skandaloze. Këto raste që zakonisht kanë ndodhur për shkak të udhëtimeve jashtë Kosovës, potencialisht kanë shkaktuar infektime të qëllimshme qoftë në vendin tonë apo në vendet ku kanë udhëtuar”, deklaroi Vitia.

Ai konsideron që institucionet shëndetësore nuk janë treguar në nivelin e përgjegjësisë duke lejuar që të ndodhin pa rregullsi që kanë rrezikuar shëndetin publik.

“Sigurisht monitorimi i punës së laboratorëve është përgjegjësi e Inspektoratit Shëndetësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, andaj këto institucione nuk janë treguar në nivelin e përgjegjësisë duke lejuar që të ndodhin këto parregullsi që kanë rrezikuar shëndetin publik”.

Ndërkaq, Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, u shpreh për Albanian Post se rastet e tilla janë mjaft shqetësuese.

“Janë shumë shqetësuese rastet e falsifikimeve të testeve COVID-19 dhe duhet denoncuar raste të tilla nëse janë të vërteta në organet e rendit urgjentisht”.

Ramadani shtoi se, “për nga ana profesiona këto raste janë shumë të rënda dhe është punë e pandërgjegjshme në formë jo humane”.

Mediat austriak akuzuan Kosovën për teste të rreme të COVID-19

Ndërkaq, më 29 gusht, media austriake Heute për situatën me COVID-19 në Kosovë kishte akuzuar Kosovën se po bartin virusin edhe në Austri.

“Pak para pushimeve verore, qeveria kosovare hoqi pothuajse të gjitha masat e Coronavirusit. Dikush nuk donte të kalonte pushimet e verës, pa vizitorët nga diaspora. Në fakt, shumë njerëz udhëtuan si kurrë më parë, shkruan “SonntagsZeitung”. Vetëm në korrik, 446 mijë e 340 pasagjerë zbarkuan në Prishtinë, pothuajse dy herë më shumë se në vitet e kaluara”.

Tutje kjo gazetë ka shkruar se, “Të kthyerit gjithashtu e sollën virusin në Austri, në disa raste me teste të rreme PCR”.

Infeksionet në bazë të agjentes së udhëtimeve në Austri – të dhëna të raportuara nga mediumi austriak Heute

Arben Gjinaj, gazetar që punon për mediat në Austri, në një prononcim për Albanian Post u shpreh se arrestimi i disa personave dhe mbyllja e laboratorëve në Kosovë dhe vendeve të tjera të Ballkanit ka qenë temë e diskutimit në mediat e Evropës, veçanërisht në Gjermani, Zvicër dhe Austri.

“Dyshohet se pas kthimit nga pushimet për në shtetet ku jetojnë me teste të falsifikuar ishin shkaktarë te rritjes se numrit të infektuarve, ndonëse për të qenë të sinqertë prej muajsh qarkullojnë teste të falsifikuara edhe nga vet shtetasit dhe banorët e këtyre vendeve”,  deklaroi Gjinaj.

Ai potencon se falsifikimi i testeve është vetëm problem aktual, pasi që një problematik tjetër me të cilën do të përballen vendet është verifikimi i pajisjes me certifikata të vaksinimit.

“Por, unë mendoj se falsifikimi i testeve do të jetë një dukuri që do të zgjas vetëm edhe disa muaj, për shkak se një dukuri me problematike me të cilën duhen të merren inspektorët dhe organet e drejtësisë është verifikimi i pajisjes me çertifikata të vaksinimit i ashtuquajtur, pasaporta e vaksinimit“.

Falsifikimi i testeve të COVID-19, po bëhet nga persona që druajnë se mund të jenë të infektuar, por që duan ta kalojnë kufirin për arsye të ndryshme.

Çmimi për një test PCR sillet rreth 30 euro, ndërsa për teste të shpejta sillet rreth 15 euro, por në shumë vende ky i fundit nuk pranohet meqë, detekton infektimin vetëm në pesë ditët e fundit.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë 

Më 9 shtator në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar 19 persona të vdekur nga COVID-19 dhe 703 persona të infektuar.

Numri i të infektuarve vjen nga 10 mijë e 851 mostra të marra

Numri i të infektuarve vjen nga 10 mijë e 851 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 2 mijë e 255 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 20 mijë e 652.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 19 mijë e 458.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 637 mijë e 132 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 338 mijë e 147.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore