Lajme

Kosova në nevojë për gjykata të specializuara, por pa gjykatës të fushave të veçanta


Ilustrim.

Shtetet demokratike, përveç gjykatave penale dhe atyre civile, kanë gjykata të veçanta dhe të specializuara për fusha të ndryshme, si gjykata e punës, gjykata ekonomike, familjare dhe sociale, por jo ngjashëm është edhe në Kosovë.

Themelimi i një Gjykate Komerciale është miratuar nga Qeveria e Kosovës me 22 qershor, të gjitha kontestet lidhur me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet biznesore, në të ardhmen do të jenë në kompetencë të kësaj gjykate.

Por, që themelimi i kësaj gjykate akoma as nuk ka filluar nga institucionet e Kosovës.

Njohësit e fushës së drejtësisë po konsiderojnë se edhe nëse themelohet një gjykatë e tillë, funksionalizimi i saj do të jetë tejet i vështirë, kështu pohon juristi Muhamet Kelmendi për Albanian Post.

“Kemi të bëjmë me paaftësi totale të gjykatësve në fushat e veçanta, prandaj edhe në gjykatën komerciale nuk mendoj se Kosova ka gjykatës komercial të aftë të përgatitur që dinë të kryejnë këtë detyrë”, ka thënë Kelmendi për AP.

Sistemi i drejtësisë në botë.

“Në këtë drejtim mund të themelohet kjo gjykatë, por funksionaliteti është një çështje e vullnetit, nuk mendoj që këtë vit mund të funksionalizohet, nëse funksionalizohet është një detyrë shkel e shko siç kemi edhe detyra të tjera”.

Kelmendi , edhe e arsyeton këtë që e thotë, pasi sipas tij gjyqtarët në Kosovë përgatiten në mënyrë të përgjithshme pa u profesionalizuar në një fushë të caktuar.

“Gjyqtarët në Kosovë shkojnë në disa provime të jurispodencës, pas një viti nëqofse se kanë praktik në gjykatë e mësojnë një teori të përgjithshme të provimit të jurispodencës dhe krijojnë gjykatës, kjo formë e gjykimit në Kosovë dhe kudo në botë është treguar jo e suksesshme”.

Rëndësia e krijimit të Gjykatës Komerciale për bizneset në Kosovë

Burim Piraj, pronar i një kompanie private në Kosovë, shprehet për Albanian Post se një kërkesë e tillë për formimin e një gjykate ka ardhur nga vetë bizneset.

“Bizneset kanë kërkuar që të ketë shqyrtim të lëndëve ekonomike të cilat kanë të bëjnë me marrëdhënie të ndërsjellta të bizneseve në marrëdhënien që e kanë me institucionet e Republikës së Kosovë”.

Sipas Piraj, “me krijimin e gjykatës komerciale mendoj se problemet ekonomike do të shqyrtohen shumë më shpejt”.

Ilustrim.

Anton Nrecaj, këshilltar i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, bën të ditur për Albanian Post se krijimi i një gjykatë të tillë mund të krijojë më shumë dëm se sa dobi në bazë të ligjit.

“Sa i përket anës ligjore krijimi i kësaj gjykate në bazë të vlerësimeve do të sjellë më shumë dëm se sa dobi sepse nëse arsyetohet me kohëzgjatjen e zgjedhjes së lëndëve të njëjtë kohë lëndët e marrin të shqyrtohen edhe në departamentin në kuadër të Gjykatës Themelore,  se edhe për çështje të tjera do të duhej të krijoheshin gjykata specifike psh Gjykata e punës”.

Ai gjithashtu sqaron se, “ligji për krijimin e Gjykatës Komerciale, ka mangësi thelbësore që mund të ketë pasoja për bizneset që janë në procese gjyqësore, kjo ka të bëjë me mjetet juridike, pasi kufizohet ushtrimi i mjeteve juridike të bizneseve”.

Funksionimi i Gjykatës Komerciale

Projektligji për Gjykatën Komerciale është i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë që nga viti 2012 ka qenë simbol i reformimit të gjyqësorit, kur ndër të tjerash, Gjykata Ekonomike është shndërruar në Departamentin për Çështje Ekonomike brenda Gjykatës Themelore.

Kjo gjykatë do të funksionojë si gjykatë e specializuar, e ndarë në dy shkallë (Themelore dhe të Apelit), kompetente për gjykimin e kontesteve për çështjet komerciale dhe administrative në çështje komerciale, si dhe do të trajtojë kundërshtimet dhe ankesat në procedurat përmbarimore.

Gjykata Komerciale ka funksionuar edhe më herët në Kosovë, deri më 1 janar të vitit 2013.

Gjykata Themelore në Kosovë.

Atëkohë ishte rekomanduar që të kalohet në sistemin aktual të gjyqësorit dhe të ketë një departament të specializuar për çështje ekonomike brenda Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Krijimi i Gjykatës Komerciale ishte paralajmëruar edhe nga ish-ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, në Qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Në Kosovë që nga viti 2011, janë hapur disa qendra të arbitrazhit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve biznesore, të cilat mund të shfrytëzohen për t’i shmangur proceset e gjata gjyqësore.

Qendrat e arbitrazhit funksionojnë në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore