Lajme

Kosova miraton vendimin për largimin e letrave ngjitëse nga targat e Serbisë


Ilustrim

Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për largimin e regjimit të letrave ngjitëse/stikerave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar, derisa e cilësoi “akt të fqinjësisë së mirë” vendimin e marrë në mbledhjen elektronike të së enjtes, njoftoi në mbrëmje zyra për shtyp.

Ky hap vjen pas vendimit të Serbisë për të lejuar lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin serb, pa obligimin që mbishkrimi RKS (Republika e Kosovës) të mbulohet me letër ngjitëse, megjithëse autoritetet serbe kanë insistuar se kjo nuk duhet të kuptohet si njohje de facto e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin për largimin e regjimit të letër ngjitësve/stikerave për veturat me targa të Serbisë. Heqja e regjimit të letër ngjitësve/stikerave është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”, thuhet në njoftim.

Pavarësisht vendimit të ekzekutivit serb për njohjen e targave kosovare, ekzekutivi kosovar kishte shprehur rezerva. Qeveria e Kosovës kishte njoftuar në fund të dhjetorit 2023 se do të presë zbatimin në praktikë të vendimit, pastaj të vendoset në bazë të parimit të reciprocitetit për largimin e regjimit të letrave ngjitëse nga automjetet me targa serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore