Kosova

Kosova mes armatimit nga SHBA-të dhe planeve malinje të Rusisë


Ilustrim

Ndonëse Kosova është në pritje të vendimit të Kongresit Amerikan për miratimin apo jo të kërkesës së saj për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”, janë shtuar zërat se Ballkani Perëndimor mund të jetë “viktima” e radhës e një konflikti ndër-rajonal.

Ndërsa Kosova gjendet në një moment të rëndësishëm të shtet-ndërtimit, njohësit e dinamikave politike në Ballkan përveç optimizmit të shprehur për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin e kërkesës së Qeverisë së Kosovës për blerjen e raketave anti-tank, ngrenë pikëpyetje të shumta për planet destabilizuese të Rusisë në rajon.

Është pikërisht politologu nga Bosnja e Hercegovina, Jasmin Mujanoviç, i cili beson se vendimi i SHBA-ve për armatimin e Kosovës me anti-tanke është “njëra nga gjërat më pozitive që ka ndodhur në rajon për një kohë shumë të gjatë”.

Një Kosovë e fortë dhe e qëndrueshme, vlerëson Mujanoviç, do të ketë një impakt shumë pozitivë për të gjithë Ballkanin Perëndimor, marrë parasysh qasjen konfliktuale të Serbisë, e ilustruar së fundmi me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

“Kur Aleksander Vulin ose Aleksandër Vuçiç flasin për botën serbe, i gjithë rajoni duhet të shqetësohet, jo vetëm Kosova, sepse është kërcënim për të gjithë”, potencon ai në një panel diskutimi.

Kosova duhet të jetë e fortë dhe e qëndrueshme meqë ekspertja amerikane e sigurisë, Ivana Stradner, është e bindur se nëse Rusia nuk ndalohet atëherë Ballkani do të jetë “fronti i dytë i Rusisë në Evropë”.

“Unë kam paralajmëruar për potencialitetin e një lufte në Ballkan për një kohë të gjatë”, ka shkruar ajo në platformën sociale, X.

Reagimi i Stradner ka ardhur pasi presidenti amerikan, Joseph Biden, ka alarmuar se anulimi i mundshëm i ndihmës financiare për Ukrainën mund të shpije në fitore të shpejtë të Rusisë e madje edhe krizë të re në Ballkan.

“Nëse ne ikim dhe Rusia është në gjendje ta vazhdojë sulmin dhe ta shembë Ukrainën, çfarë mendoni se do të ndodhë në vendet e Ballkanit?” ka pyetur Bideni partiakët e tij në një takim gjatë të premtes.

Në anën tjetër për hulumtuesin e lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) me seli në Uashington D.C., Leon Hartwell, pranimi i kërkesës së Qeverisë së Kosovës nga ana e SHBA-ve për shitjen e raketave anti-tank, Javelin, është tregues i një reagimi të fortë ndaj të gjitha provokimeve të mundshme nga regjimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Kjo lëvizje të cilën Hartwell e cilëson si “strategjike” nënvizon përkushtimin e SHBA-ve për forcimin e pozitës mbrojtëse të Kosovës.

“Njoftimi i shitjes së raketave shërben si një tregues i pagabueshëm se Amerika është e gatshme të forcojë aftësitë mbrojtëse afatgjatë të Kosovës, si dhe aftësinë për ta mbrojtur sovraniteti dhe integriteti territorial”, ka thënë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës edicioni në gjuhën serbe.

“Shitja e raketave për Kosovën, tregues i një reagimi të fortë ndaj të gjitha provokimeve të Vuçiç-it”

SHBA-ja njoftoi më 11 janar se ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërajrore Javelin, që prodhohen në SHBA.

Departamenti amerikan i Shtetit në anën tjetër potencoi se blerja e tyre do t’i kushtojë Kosovës 75 milionë dollarë.

Ndërsa kjo çështje është dërguar në Kongresin amerikan për miratim presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, potencoi se beson që kërkesa për blerjen e këtyre armëve do të miratohet.

Ndërkaq, Vuçiç cilësoi lajmin si “zhgënjim të madh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore