Kosova

Kosova kërkon një rishikim të dialogut, aktualisht vazhdimi i procesit shumë i vështirë, thotë Gërvalla  


Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një konferencë për media të premten, së bashku me homologun e saj nga Turqia, Hakan Fidan, tha se në këtë fazë ka nevojë për një rishikim në tërësi të procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, kjo për shkak të qasjes destruktive të Serbisë.

Kosova aktualisht, sipas kryediplomates, po pret formimin e Komisionit të ri të Bashkimit Evropian meqë për momentin “është shumë i vështirë vazhdimi i procesit të dialogut”.

“Me këtë qasje dhe me bllokimin e kufijve të Kosovës me një qasje vazhdimisht armiqësore me një gjuhë që nxit vetëm urrejtje e konflikte do të jetë shumë e vështirë vazhdimi i procesit në Bruksel, prandaj duhet të presim derisa të vijnë institucionet e reja, të vijnë bartësit e rinj të funksioneve të reja me shpresën se do të kenë një vizione më të qartë”, tha ajo.

Në pyetjen se cili është komenti i saj për deklaratën e fundit të deleguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, Gërvalla është shprehur e bindur se diplomati sllovak “ka pasur fjalën për një tërheqje të pjesshme”.

“Unë besoj se Lajçak e ka fjalën për një tërheqje të pjesshme të asaj letre të ish-kryeministres, Ana Brnabiç, e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit edhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, gjë që është një qasje tërësisht e papranueshme për ne”.

Ndërsa ka folur për paralajmërimet për mbylljen e pikave kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë nga serbët, Gërvalla tha se një qasje e tillë është edhe një dëshmi e shtuar “për synimet hegjemoniste dhe veprimet destabilizuese të Serbisë”.

“Kosova mbetet e përkushtuar në partneritetin me NATO-n si garanci për mbrojtjen e paqes në rajon. Në këtë kontekst, e shohim Serbinë si rrezik real për stabilitetin rajonal. Kërcënimet për bllokimin e pikave kufitare janë dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste, por edhe e veprimeve provokuese dhe destabilizuese të Serbisë që shkojnë përtej kërcënimeve verbale”, ka deklaruar Gërvalla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore