Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller, në një konferencë për shtyp të mërkurën, ka deklaruar se administrata amerikane është e shqetësuar për “veprimet e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” rrezikojnë mbështetjen amerikane për rrugën euroatlantike të Kosovës.
“Jemi të shqetësuar për vazhdimësinë e vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë të cilat ne kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë – që nga shpallja e pavarësisë, ne kemi mbështetur integrimin e plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane dhe multietnike”, ka thënë zëdhënësi i DASH-it.
“Por për të realizuar këtë vizion, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Kosovës rreth masave për të fuqizuar paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, ka shtuar ndër të tjera Miller, kur u pyet nëse duhet të ketë pasoja për Kosovën pas mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë në veri të vendit ditë më parë.
Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se mbyllja e nëntë degëve të Postës së Serbisë në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok – është bërë për shkak se ato kanë qenë duke funksionuar pa licencë brenda territorit të Kosovës, pra rrjedhimisht nuk kanë qenë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, ka theksuar se mbyllja e degëve të postës serbe, përkatësisht “veprimet e pakoordinuara” në veri, përveçse se kundër frymëse së marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, rrezikojnë ta lënë të bllokuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por – edhe më keq – rrezikojnë që aplikimi për anëtarësim në BE të mbetet i bllokuar në inbox. BE-ja lulëzon duke mbledhur rreth vetes të gjitha shtetet anëtare dhe komunitetet e tyre dhe neve na duhet qasje e njëjtë në nivel kombëtar”, ka paralajmëruar ambasadori gjerman.
Kosova, pavarësisht vrullit të supozuar në procesin e zgjerimit për shkak të agresionit rus në Ukrainë, ka shënuar një progres të kufizuar drejt integrimeve. Kosova ka dorëzuar dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku ende s’e ka shqyrtuar. Dhe arsye për këtë janë kryesisht tensionet e vazhdueshme në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd.
Aidan Hehir, ligjërues në Universitetin e Westminsterit në Londër të Britanisë së Madhe, ka reaguar përmes një postimi në “X” ndaj deklaratës së ambasadorit gjerman, duke e cilësuar “kërcënim të zbrazët” paralajmërimin se “veprimet e pakoordinuara” rrezikojnë aplikimin e Kosovës.
“Një kërcënim shumë i zbrazët. Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE – padrejtësisht – ka ‘ngecur në inbox’ prej dekadave. Pavarësisht progresit që ka bërë dhe mbështetjes së madhe brenda vendit për anëtarësim, ajo nuk është as vend kandidat; zyrtarisht është vetëm një ‘kandidat potencial’”.
Në këtë mënyrë, në procesin e zgjerimit ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova, ndonëse ka aplikuar para dy vjetësh, në fund të presidencës së atëhershme çeke, vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka statusin e kandidatit.
Gjithashtu, eksperti i politikës së BE-së nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit (DPC), Toby Vogel, ka reaguar ndaj ‘kërcënimeve’ ndaj Kosovës, duke thënë se pavarësisht kontekstit “qytetarët dhe politikanët e Kosovës e dinë që nuk ka rrugë për anëtarësimin e shtetit të tyre në BE”.
BE-ja pothuajse vazhdimisht e ka qortuar ekzekutivin kosovar për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veriun e trazuar të territorit. Ata së fundi kanë paralajmëruar se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, mund të ndikojnë negativisht në mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura më shumë se një vit më parë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com