Kosova

Kosova fiton në arbitrazh rastin “Dardafon”, shpëtohen 45 milionë euro


Qeveria e Kosoves

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të enjten se nëpërmjet Avokaturës Shtetërore, ministria e Drejtësisë ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtar ndaj kompanisë “Devolli Corporation” në rastin e “Dardafon”.

“Ministria e Drejtësisë, përmes Avokaturës Shtetërore së bashku me ekipin mbrojtës të Squire Patton Boggs kanë arritur fitoren e radhës për Kosovën në arbitrazhin ndërkombëtar, duke mposhtur pretendimet e Blerim Devollit kundër Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti.

“Dardafon.net L.L.C” pronë e biznesmenit Blerim Devolli, në muajin mars të vitit 2020, e kishte paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për rastin e mosvazhdimit të kontratës në mes të Telekomit dhe kompanisë së tyre. Devolli ka kërkuar dëmshpërblim nga shteti 45 milionë euro.

“Pak ditë më parë, Tribunali ndërkombëtar i Arbitrazhit ka lëshuar vendim duke hedhur poshtë në tërësi pretendimet e z. Devolli dhe duke urdhëruar këtë të fundit t’ia paguajë Republikës së Kosovës mbi 1.3 milion euro në emër të shpenzimeve të procedurës”, shtoi Kurti.

Shteti i Kosovës është dërguar në të paktën gjashtë raste në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Deri tani, tre nga rastet e mëdha kanë përfunduar në favor të shtetit,  kurse disa të tjera janë ende në procedurë.

Ky rast shënon fitoren e tretë të radhës së Kosovës në arbitrazhin e investimeve, tha Kurti, duke e renditur vendin si një ndër të paktat shtete me asnjë humbje në arbitrazhin ndërkombëtar të investimeve.

“Rastet e mëparshme, Bedri Selmani v. Republika e Kosovës dhe IuteCredit v. Republika e Kosovës, gjithashtu kanë rezultuar në fitore të plota për Republikën e Kosovës. Vlera e përbashkët e pretenduar në këto tre arbitrazhe kap shumën prej 145 milionë euro”, përfundoi Kurti.

Çështja e kontestit të parë ishte marrëveshja e lidhur mes “Dardafon” dhe Telekomit në janar të vitit 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra nga sa i ishin ndarë në fillim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore