Kosova

Kosova e Serbia kanë një “listë të detyrimeve” që duhet t’i zbatojnë, thotë Giaufret


Emanuele Giaufret

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, Emanuele Giaufret, ka thënë të mërkurën në Beograd se fondet për vendet e Ballkanit Perëndimor do të varen nga zbatimi i reformave, por edhe përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së.

“Kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë, progresi në normalizimin e marrëdhënieve është një kusht i rëndësishëm dhe nuk lidhet domosdoshmërisht me sjelljen e të dyja palëve. Secila palë ka listën e vet të detyrimeve që duhet t’i zbatojë nga Marrëveshja e Brukselit (2013) e tutje”, ka thënë diplomati francez në një konferencë për media.

Ai ka kujtuar se mbi tavolinën e dialogut Kosovë-Serbi ekzistojnë disa marrëveshje që duhen zbatuar nga të dyja palët, duke përfshirë Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksin e Implementimit (Ohër, 18 mars), por edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, derisa ka shtuar se pa zbatimin e tyre nuk mund të bëhet progres.

Edhe shefi i delegacionit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri tani në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, derisa ka shtuar se asnjëra palë nuk ka filluar implementimin e obligimeve që janë esenciale për rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore