Kosova

Kosova e papastër e kryeministrit pa shije dhe ministrit të vakive


Pas qetësimit të stuhive politike, Kosova është goditur nga vala e të nxehtit.

Këtë vit, kosovarët po përballen edhe me një tjetër ndryshim të padëshiruar: atë të klimës. Përderisa klima ndryshon, e pandryshueshme mbetet vetëm ndotja. Përtej matjeve dhe shifrave, ajo ndjehet dhe vërehet kudo.

Mirëpo, as ndryshimi i klimës dhe as ndotja e ambientit nuk ishin shqetësime të deputetëve, në sallën e klimatizuar të Kuvendit të Kosovës. Pas disa orësh debat për hesap të tyre dhe një muaji përplasjesh për atë të qeverisë, u miratua rishikimi i buxhetit për këtë vit.

Paraprakisht u diskutua për gjithçka. U kujtua madje që debati ishte i kotë, sepse nuk po merreshin vesh për asgjë. Por, megjithëse temperatura jashtë ishte 36 gradë celsius dhe ajri plot ndotje, askush s’u kujtua të fliste për ambientin.

Dikush duhej ta bënte. Ishte shqetësues, mosshqetësimi i deputetëve.

Ai i qeverisë, aspak.

Kryeministri është lexues i filozofisë, por ka mungesë të shijes. Në veshje. Në ecje. Në paraqitje. Ai nuk shqetësohet për të bukurën. Rrjedhimisht, as për ambientin.

Ministri ka studiuar për arkitekturë, por s’ka arritur të jetë më shumë se rojtar i ndërtesave pa leje. Një njeri i vakive, para dhe pasi u bë ministër. Do të thosha që, prandaj, s’e ka problem të jetojë me bërllokun, por atje ku do të jetojë ai bërllok nuk ka. Njëlloj siç ai nuk ka kurrfarë plani për ta bërë me shije dhe të pastër Kosovën.

Edhe buxheti i ndarë për ambientin është reflektim i kësaj mendësie.

Shqetësuese janë shifrat.

Në vitin 2019, nga 1 mijë vdekje, gjashtë janë si pasojë e ndotjes së ajrit. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për ekspozimin ndaj PM, me qëllim të llogaritjes së efekteve shëndetësore ndaj popullsisë.

Për Prishtinën, numrat e këtij studimi përputhen edhe me numrin e personave të pranuar çdo muaj në spital me sëmundje kardiovaskulare, për shkak të përqendrimit të PM në ajër.

Studimi shfaq se pranimet në spitale janë më të larta gjatë dimrit, që është gjithashtu stina e emetimit më të lartë të PM-ve. Ndotja e ajrit në Kosovë vlerësohet të jetë shkaktare e 835 vdekjeve të parakohshme në vit.

Efektet e tjera të ndotjes së ajrit në Kosovë përfshijnë sëmundjet akute të frymëmarrjes, përkeqësimin e gjendjes së pacientëve që vuajnë nga zemra dhe astma, kancerin e shkaktuar direkt nga ndotësit, nxitjen e acarimeve të syrit apo hundës, si dhe stresin dhe humbjen e mirëqenies së përgjithshme.

Çdo vit, ndotja e ajrit u shkakton spitaleve 310 raste të reja të bronkitit kronik, 600 pranime spitalore dhe 11 mijë e 600 vizita urgjente.

Rritja e shkarkimeve të pluhurit nga Termocentrali “Kosova B” (PBB) mund të shpjegohet si rezultat i vjetërsimit të elektrofiltrave. Që atëherë, çdo vit, vlerat maksimale të lejuara po tejkalohen gjithnjë e më shumë.

Emetimet e SO2 nga PPA dhe PPB tejkalojnë vlerën kufi 400 μg/Nm3, që nga viti 2008.

Nga ana tjetër, sipas të njëjtit burim (INDEP), situatë edhe më e rëndë nga ana mjedisore, për qytetarët e Kosovës, është (mos) menaxhimi i mbetjeve.

Në dekadën e fundit, vihet re një rritje e shpejtë e popullsisë në qytete, si rrjedhojë e migrimit të brendshëm. Kjo rritje e numrit të banorëve ka rritur shkallën e gjenerimit të mbetjeve në disa qytete kryesore.

Nga këto të dhëna, gjithsej sasia e mbeturinave të depozituara në Kosovë është afërsisht 420 ton/vit, nga të cilat vetëm në Prishtinë deponohen 120 ton/vit.

Mënyra se si menaxhohen mbetjet në vend është thjesht grumbullim dhe deponim. Deponimi, metoda e vetme e zgjedhur për trajtimin e mbetjeve, është ajo me kosto më të ulët. Deponitë mbajnë fytyrën e asaj të Obiliqit, gjithkund nëpër Kosovë dhe asnjë prej tyre nuk mund të konsiderohet një deponi me kushtet minimale sanitare. Pra, janë shumë larg prej të qenit landfill me kushtet optimale sanitare.

Kjo mënyrë e menaxhimit të mbetjeve shoqërohet me pasoja të rënda në ekosistem dhe shëndetin e njerëzve, sepse krijon kontaminim të ajrit dhe të ujërave sipërfaqësorë e nëntokësorë, të cilat ndodhin si rezultat i dekompozimit të mikroorganizmave.

Mjafton që secili prej nesh të hedhë sytë kah Obiliqi, ku shtresa prej 40m të mbetjeve të rrënjosura aty, përbëjnë çdo ditë rrezik për jetën e qytetarëve, që jetojnë rreth 250m vijë ajrore larg e, për më tepër, të gjithëve ne, sepse uji sipërfaqësor më i afërt është vetëm afërsisht 150 m larg.

Përpos këtij problemi, edhe më emergjencë ka fakti që, pothuaj, të gjitha deponitë aktuale kanë arritur kapacitetet e plota.

Sektori drejtohet nga Ligji për Mbeturinat (Nr. 2012/04-L-060). Ligji me standarde absolutisht europiane ka një vështirësi të madhe edhe vetë të përshtatet në situatën që reflekton aktualiteti kosovar në këtë sektor. Asnjë prej direktivave të BE-së aktualisht, paçka ligjit apo akteve të tij nënligjore, nuk ndiqet në Kosovë, askund.

Aktualisht, Kosova ka 38 komuna, 1 mijë e 467 vendbanime në të cilat 1 milion e 780 mijë e 21 banorë jetojnë në një zonë prej 10 mijë e 896 kilometra. Bazuar në Ligjin Nr. 03 / l-040 për vetëqeverisjen lokale kompetencat vetjake, kompetencat e deleguara dhe kompetencat e zgjeruara, ndër të cilat menaxhimi i mbeturinave komunale përcaktohet si një funksion i vet komunave.

Përgjegjësitë mes qeverisjes qendrore dhe asaj lokale janë të padefinuara për t’u kuptuar dhe kjo reflektohet çdo ditë në menaxhimin e vet sektorit.

Grumbullimi i tarifave për shërbimin e grumbullimit të mbetjeve është një çështje problematike, e cila përcakton në njëfarë mase cilësinë e ofrimit të shërbimeve nga operatorët, si rezultat i mbledhjes së dobët të tarifave në nivelin e vendit. Disa komuna referojnë nivel të ulët të mbledhjes dhe ende mungon një bazë e të dhënave të plota të qytetarëve.

Kosova zbaton një tarifë për mbledhjen e mbeturinave bazuar në njësi. Fillimisht (2011) kjo tarifë ishte vendosur nga Zyra Rregullatore e Ujit dhe Mbeturinave (ZRRUM), e cila ishte përgjegjëse për tarifat e mbetjeve komunale.

Tarifa e familjes, e vendosur nga ZRRUM, ishte e unifikuar për të gjithë vendin në vlerën e 4.5 euro / familje / muaj dhe mbledhja u mandatua për operatorët e shërbimeve.

Kur bëhet fjalë për tarifën e hedhjes së mbeturinave, po zhvillohet një debat i vazhdueshëm midis KLMC dhe MMPH, pasi sipas institucionit të parë kjo tarifë është shumë e ulët.

Tarifa, për një kohë të gjatë, ka qenë 5.31 euro dhe nuk ishte e mjaftueshme për të mbuluar kostot e kompanive. Të katër deponitë u financuan nga Agjencia Evropiane e Zhvillimit dhe si përfundim ekspertët ndërkombëtarë konsideruan se niveli i çmimit për tarifën e deponisë duhet të ishte 8.60 euro, pa TVSH.

Por, për fat të keq, me rritjen e nivelit të gjenerimit të mbeturinave, aksioneri kryesor, d.m.th. ZRRUM, e uli tarifën në 5.26 euro, pavarësisht nga faktorët që ndikojnë në kostot shtesë të kërkuara për trajtimin e mbetjeve të gjeneruara. KLMC ka depozituar një ankesë për rritjen e kësaj pagese.

KMLC nuk ka marrë ndonjë përgjigje për ankesën e tyre. Sipas Njësisë së Politikave dhe Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike, departament në MZHE, për shkak të standardeve të ulëta në Kosovë dhe mirëqenies sociale, kjo tarifë nuk u rrit sepse, përveç rritjes së kompanive për mbledhjen e shpenzimeve, konsumatorët do të vuanin më së shumti. Për më tepër u pohua që qeveria duhet të mbulojë shpenzime të tjera të KLMC.

Ende shumë larg qëndron i gjithë ky menaxhim nga hallka e fundit e zbatimit, monitorimi. Kapacitetet e pakta e të ulëta nga ana e njohurive kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e sektorit.

Ajo që ende mbetet pothuaj e paprekur, janë mbetjet e rrezikshme. Nuk ka ende asnjë deponi të përcaktuar për mbetjet e rrezikshme, çka i bën deponitë aktuale edhe më të rrezikshme se sa parashikohet.

Në këtë aspekt iu prin problemeve të menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme në vend dekomisionimi i Termocentralit “Kosova A”, sepse kur shumë shpejt do të jetë jashtë funksionimit, do të gjenerojë një sasi të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme në mënyrë direkte për shëndetin e qytetarëve të vendit.

Duke pasur përballë një mal problemesh mjedisore, me kodra të tëra mbeturinash, Qeveria Kurti heq lejet e funksionimit të HEC, që prodhon energjinë, e cila aq shumë do të na duhet dhe mungesa e të cilës edhe më shumë do të na e sanksionojë në të ardhmen.

Të vetmen masë që ka marrë kjo qeveri, është heqja e qeseve plastike. Qeset vërtet janë problem, por ato nuk mund të jenë problem më i madh se dengjet a pafundme të mbeturinave të hedhura gjithandej dhe pa asnjë kriter.

Prandaj, ato – qeset – edhe në rastin e qeverisë e kryejnë të njëjtin funksion: janë zgjidhje e shpejtë dhe njëpërdorimshme, për një problem që kërkon strategji të detajuar dhe afatgjatë, që kjo qeveri s’e ka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore