Shqipëria

Kosova e 34-a në botë në indeksin e lumturisë, shqiptarët shumë më poshtë


Kombet e Bashkuara kanë prezantuar raportin vjetor të indeksit të lumturisë në botë, ku kryefjalë ka qenë mirëqenia psiko-emocionale pas pandemisë COVID-19, e cila në trajta të përgjithshme ka rezultuar se nuk ka pasur ndikim të madh në lumturinë e njerëzve, përpos efekteve shkatërruese ekonomike në gjithë botën.

Janë intervistuar për këtë studim mbi 100 mijë persona në 137 vende të botës, dhe ajo çfarë ra në sy, ishte fakti se kishte nivele shumë më të larta dashamirësie në shumicën e shteteve ku u krye studimi.

Madje, të pyetur lidhur me një vlerësim që do t’i jepnin cilësisë dhe lumturisë në jetën e tyre, shumica e personave u përgjigjën se në nivele të ngjashme me ato të para pandemisë COVID-19.

Një aspekt interesant gjithsesi, është edhe radhitja e vendeve të rajonit dhe Evropës, ku mbretëron ende Finlanda, e cila për të gjashtin vit radhazi, mban vendin e parë në indeksin e lumturisë.

Ndërsa, nga rajoni, Kosova i ka befasuar të gjithë, duke u renditur e 34-a, vetëm një vend poshtë Italisë, duke lënë pas po ashtu shtete të fuqishme në botë si Japonia, apo Brazili.

Shqiptarët ndërkohë vijojnë të jenë të palumtur, ku në renditje shfaqen në vendin e 83-ë, shumë më poshtë se shumica e fqinjëve, duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut nga rajoni.

Një aspekt domethënës ka qenë edhe ai i luftës në Ukrainë, e cila e shoqëroi përgjatë gjithë vitit 2022 dhe fillimit të 2023-shit kontinentin e vjetër, ku pasojat e lëna janë të dukshme, me Ukrainën të radhitur në vendin e 92-ë.

Ndërsa, rusët, janë të renditur çuditërisht në vendin e 70-ë, pavarësisht luftës dhe pakënaqësive të brendshme, me protesta të shumta lidhur me politikat që Vladimir Putin ka ndjekur.

Danimarka, Islanda, Izraeli, Holanda, Suedia dhe Norvegjia, ndjekin në radhitje Finlandën, si vendet më të lumtura.

Të mirëvendosura në pikavarazh janë edhe SHBA-të, Gjermania apo Britania e Madhe.

Ndërsa, mes 10 vendeve më të palumtura në botë, janë ato afrikane si Sierra Leone, Zimbabwe e Kongo.

Dy vendet e fundit, i takojnë Libanit dhe Afganistanit, duke parë edhe situatat e krijuara atje në vitet e fundit.

COVID nuk ka ndikuar në lumturinë e njerëzve në botë, zbulon studimi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore