Kosova

‘Kosova do të qëndrojë përkrah NATO-s për të parandaluar përshkallëzimin e situatës’


Ilustrim

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, reagoi nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën pas ekspozimit të grafiteve luftënxitëse “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, një ditë para protestës së thirrur për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

“E dukshme kush qëndron pas këtyre grafiteve fashiste që u shfaqën sot në katër komunat veriore të Kosovës: ‘Kur ushtria (serbe) të kthehet në Kosovë; Brigada e Veriut jeton’ – vetëm një ditë para ‘protestës’ së paralajmëruar”, shkroi ish-kryediplomatja kosovare, duke iu referuar Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve të Kosovës – të cilët politizuan protestën.

Meliza Haradinaj – Stublla

“Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah aleatëve të NATO-s për të mos lejuar bandat kriminale të sponsorizuara nga Serbia të shkatërrojnë paqen e fituar me vështirësi dhe të nxisin përplasje artificiale etnike”, shtoi ndër të tjera Haradinaj – Stublla, posaçërisht pas paralajmërimeve se situata në pjesën veriore të vendit mund të përshkallëzohet sërish.

Një protestë për të kundërshtuar vendimin e BQK-së për operacionet me para të gatshme është thirrur të hënën në orën 12:00 në Mitrovicën e Veriut, ndërkohë që Lista Serba ftoi qytetarët e komunitetit serb për “përkrahje gjithëpopullore” të protestës. Gjithashtu, disa parti tjera serbe që veprojnë në veri të vendit i bënë jehonë thirrjes për protestë në veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore