Kosova

Kosova do të bëhet më e mirë me LVV-në jashtë qeverisjes, thotë Çitaku


Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrit të, Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati, i cili përveç njoftimit për ekzekutimin e pagave në sektorin publik, ka udhëzuar qytetarët që të festojnë vitin e ri me produkte vendore.

“Ministër, a e din sa na kanë ardhë faturat e rrymës? A ke ide sa është shkalla e inflacionit? A e din sa kushton sot një kilogram djath? A e din që nuk i keni rritë pagat, përkundër rritjes së çmimeve? Mos na e fyeni intelegjencën. Ne festojmë se e duam Kosovën, dhe e dimë që Kosova do të bëhet më mirë. Vitin që vjen. Me ju jashtë qeverisjes”, ka shkruar ajo.

Murati ka njoftuar se janë rreth 140 milionë euro pagesa të bëra në llogaritë e qytetarëve, vetëm këtë javë, duke përfshirë shtesat, ndërsa ka konsideruar se blerja e produkteve vendore do të ndikonte në forcimin e ekonomisë dhe rritjes së punësimit, kurse të dyja bashkë, do të mundësonin rritjen e buxhetit dhe sëkëndejmi, ngritjen e pagave dhe mbështetjen e qytetarëve.

“Do të ishte mirë që secili prej nesh të japim kontribut në forcimin e ekonomisë duke blerë sa më shumë prodhime vendore, sidomos në kohë festash si tani. Sa më shumë produkte vendore që blejmë, aq më shumë rritet punësimi e ekonomia. E kjo pastaj na mundëson që të rrisim buxhetin, e me më shumë buxhet rriten edhe pagat dhe mbështetja për të gjithë qytetarët”.

Blerja dhe konsumimi i produkteve “Made in Kosova” në tregun vendor, me gjithë faktin që kanë shënuar rritje viteve të fundit për shkak të lansimit të fushatës vetdijësuese rreth produkteve vendore, vazhdon të mbetet i ulët, ndërsa produktet e importuara vazhdojnë të dominojnë tregun e Kosovës dhe të konsumohen në masë të madhe nga kosovarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore