Kosova

Kosova dhe Turqia nënshkruajnë themelimin e Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar


Rozeta Hajdari dhe Omer Bolat

Kosova dhe Turqia, të martën, kanë nënshkruar Deklaratën e Përbashkët për Themelimin e Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar (JETCO).

Kështu të paktën ka bërë të ditur ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Sipas saj ky Komision i Përbashkët do të krijojë një platformë për konsultime të rregullta, duke mundësuar gjetjen e “mënyrave të reja dhe moderne për të përmirësuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kosovës dhe Turqisë”.

Rozeta nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ndër të tjera ka njoftuar se në Ankara ka takuar homologun turk, Omer Bolat, me të cilin kanë biseduar për zbatimin e gjertanishëm të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Turqinë, që është në fuqi që nga viti 2019.

“Me synim përmirësimin e bilancit tregtar dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare, me Ministrin Bolat u pajtuam për rishikimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në mes Kosovës dhe Turqisë, si dhe për lansimin e  Negociatave për Tregtinë e Shërbimeve, sipas parimeve të Marrëveshjes së Përgjithshme mbi Tregtinë e Shërbimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT/ GATS)”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore