Shqipëria

Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për kontrollin e përbashkët kufitar


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij nga Shqipëria, Taulant Balla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij nga Shqipëria, Taulant Balla, kanë nënshkruar marrëveshje për kontrollin e përbashkët kufitar.

Kjo marrëveshje është nënshkruar në prani të organeve policore dhe doganore të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas Sveçlës dhe Ballës, pas këtij akti zyrtar ndërshtetëror do të krijohen rrethana lehtësuese për banorët e të dy anëve të kufirit.

“Lajmi i mirë është se eksperiencën e fituar nga Pika e Kalimit Kufitar të Morinës, po e shtrijmë në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar. Qytetarët e Tropojës do ta kenë shumë më të lehtë të kalojnë në Gjakovë, qytetarët e Hasit po ashtu, por dhe Kukësi dhe Dragashi, në mënyrë që të garantojmë që në të gjitha këto pika të kalimit kufitar të kemi jo vetëm një kontroll të përbashkët mes Policisë së Shtetit Shqiptar dhe mes Policisë së Shtetit të Kosovës, por gjithashtu edhe për të shkurtuar kohën”, deklaroi Balla para gazetarëve.

Sipas tij, përmbajtja teknik e protokollit, do ta lehtësoj procesin.

“Nëse një makinë me numrat, targa të Kosovës vjen për të hyrë nga Gjakova për të shkuar në Tropojë, thjesht dhe vetëm bënë një ulje të shpejtësisë dhe kalon ndërkohë që moduli i sistemit të kamerave bën filmimin, leximin e targës dhe targa e automjetit kalon, ngarkohet në sistem, kjo ndiqet për ta sqaruar, vetëm për automjete me numra, me targa të Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës”.

“Për të tjerat vazhdon pjesa e kontrollit që kemi pasur dhe mos harroni asnjëherë që gjëja e rëndësishme në gjithë këtë proces është njehsimi, pra pikat e përbashkëta të kontrollit. Kjo është një arritje shumë e rëndësishme mes dy qeverive tona”, sqaroi ministri.

Më 12 qershor Sveçla, së bashku me homologun e tij nga Shqipëria, Taulant Bella, kishin vizituar pikë kalimin e përbashkët kufitar në Vërmicë, pas vendimit që kalimi në kufirin në Vërmicë të bëhet pa kontrollim në kufi.

“Me qëllimin e realizimit në mënyrën më të mirë të mundshme të marrëveshjes për heqjen e kontrolleve kufitare të qytetarëve të dy vendeve tona, nga sot do të aktivizohet korsia e veçantë e kalimit kufitar për ta”, thuhej në njoftim.

“Mes dy vendeve tona nuk do të ketë kontrolle për qytetarët tanë por po punojmë që të kemi sisteme të avancuara teknologjike që luftojnë ilegalitetit ndërkufitare”.

Sveçla, kishte thënë se në shënim të përvjetorit të çlirimit të vendit janë shënuar edhe 20 vendkalime të veçanta.

Edhe ministri nga Shqipëria, Balla njoftoi se ka hyrë në fuqi regjimi i lirë i trafikut në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore