Shqipëria

Kosova dhe Shqipëria kontraktojnë një kompani për ndërtimin e një rruge të përbashkët


Flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë.

Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë nga Partia Socialise, Pandeli Majko ka bërë të ditur se kanë pranuar dokumentin nga Qeveria e Kosovës që mundëson ndërtimin e një rruge lidhëse Kosovë – Shqipëri.

Lajmin e ka bërë të ditur Majko përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Mirëmëngjesi! Lajm i mirë nga autoriteti kontraktues i Qeverisë së Kosovës i cili ka miratuar në zbatim të Marrëveshjes Dypalëshe, kompaninë që do të ndërtojë rrugën lidhëse Kosovë – Shqipëri! Kjo është rruga Kërstec – Pakishtë – Zapod (Kukës)… Mbarësi!”, ka shkruar Majko.

Në dokument sqarohet se ky vendim është marrë nga ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës shpërblen me kontratë: Grup i Operatorëve Ekonomik ERST BAU SH.P.K; KAG – Asphalt Company SH.P.K., zona industriale P.N – Suharekë, Kosovë për një shumë prej 2,387,480.85”, thuhet në dokument.


Më 6 korrik, janë nënshkruar 13 marrëveshjet në mes të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, të cilët ishin paraparë që të nënshkruheshin në mbledhjen e dy qeverive që ishte planifikuar të mbahej me 14 qershor, në qytetit e Gjakovës, por se e njëjta ishte anuluar për shkak të zhvillimeve në Veri të Kosovës.

“Pas nënshkrimeve nga ministrat e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, ka pasuar nënshkrimi nga ana e ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e të dyja shteteve”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Qeveria.

Sipas institucioneve marrëveshjet e sotme, së bashku me ato të nënshkruara në dy mbledhjet e mbajtura në dy vitet e fundit mes qeverive, i sjellin vendet dhe qytetarët më pranë njëri-tjetrit dhe ritheksojnë fuqizimin e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë.

Gjatë dy viteve të fundit, janë mbajtur dy mbledhje të Qeverive në të cilat janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore