Sport

Kosova dhe pamëshirshmëria e futbollit ndaj ‘brezit të artë’


Skuadrat që lulëzojnë në ndeshjet ndërkombëtare të futbollit nuk janë gjithmonë më të talentuarat. Për të ngritur një kupë apo për të arritur një kualifikim historik, vendet duhet të menaxhojnë talentin me aftësinë për të përballuar peshën e pritshmërisë nga tifozët.

Për skuadrat që mendohet se përmbajnë një brez të artë lojtarësh të talentuar, presioni mund të bëhet i patolerueshëm.

Kosova, aktualisht duket se po përballet me këtë lloj presioni. Një presion tepër i lartë nga gjithë opinioni sportiv dhe tifozët, me këta të fundit që ndeshjen ndaj Rumanisë duhet ta kishin si një hakmarrje për skenat e ndodhura disa kohë më parë nga tifozët rumunë.

Kujtojmë se në kualifikueset e Euro 2024, kur Kosova udhëtoi drejt Rumanisë tifozët vendas shpalosën banderola me mbishkrime “Kosova është Serbi”.

Në ndeshjen e djeshme, ku Kosova u mund pastër 0-3 në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtinë, tifozet “dardanë” kishin shpresuar, besuar dhe shtuar presionin te lojtarët e tyre për një hakmarrje në fushë ndaj rumunëve. Aq e madhe ishte dëshira për fitore sa që humbja në fund të 90 minutave u cilësua dhe u soll si një tragjedi.

Por, a është në fakt një tragjedi humbja e Kosovës?

Nëse analizojmë përbërjen e skuadrave, mund të themi që Kosova qëndron disi më lart me disa lojtarë që luajnë në ligat më të mëdha evropiane dhe rrjedhimisht botërore.

Po të shikojmë Rumaninë, ekipi nuk ka shumë lojtarë të njohur ndërkombëtarisht dhe nuk është ajo Rumania e viteve më të mira. Lojtari më i vlerësuar në ekipin rumun është Radu Dragusin, mbrojtësi i Tottenham-it në Premier League.

Por, nëse bëjmë një dallim mes cilësisë individuale dhe grupit, futbolli na ka mësuar në shumë raste se një grup i bashkuar mund t’ia dalë mbanë.

Në këtë rast, për një ekip me grup të bashkuar, mund të përmendim ecurinë e Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2024, kur befasoi jo pak ndaj kundërshtarëve si Polonia apo Çekia, me të cilët më herët kishte luajtur gati gati si inferiore.

Dhe, të mos harrojmë se në stolin e Rumanisë ulet njefarë Mircea Lucescu. Një emër që gëzon mjaft respekt në opinionin sportiv evropian, që edhe pse në moshën 79-vjeçare qëndron solid në punën e tij.

Lucescu u rikthye te Kombëtarja rumune pas 43 vitesh, pasi i kishte drejtuar ata midis 1981-86. Ai i dha Gheorghe Hagi-t debutimin e tij me Rumaninë dhe ndihmoi në mbjelljen e farave për ngritjen fenomenale të vendit të tij në vitet 1990.

Eksperienca e tij e madhe nuk është fakt për tu neglizhuar në ndeshje të tilla.

Franco Foda

Po të fokusohemi në shifra, humbja ndaj Rumanisë nuk ishte tragjedi.

Kosova vjen si një kombëtare e re, pa shumë eksperiencë dhe e renditur në vendin e 106-të në botë. Në krahun tjetër, Rumania ishte pjesë e Euro 2024 ku arriti raundin e 16-të dhe vjen si një kombëtare e renditur në vendin e 45-të nga FIFA.

Në vlerë monetare, sipas “Transfermarkt”, të dyja ekipet kanë shuma të përaferta. Kosova vlerësohet me 92.68 milionë euro, kundrejt 92.23 milionë eurove të Rumanisë.

Por, nëse do të flasim vërtetë për “tragjedi”, këtu mund të fusim sjelljen e trajnerit Franco Foda, apo më saktë zyrtarve të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) pas ndeshjes.

Trajneri nuk doli në konferencën për shyp pas ndeshjes dhe sipas informacioneve, me pretekstin se nuk kishte një përkthyes të gjuhës gjermane. Qesharake.

Tani, në këtë situatë lind pyetja, kur nuk ka një përkthyes të gjuhës gjermane, si komunikon trajneri me lojtarët apo me anëtarë të tjerë të FFK-së? Kjo mbetet engim.

Foda e ka udhëhequr Kosovën në katër takime, ku ka marrë një fitore dhe tre humbje, ka shënuar një gol dhe ka pësuar tetë. Dukshëm, ka diçka që nuk shkon, por askush nuk merr përsipër përgjegjësinë.

Ndërkohë, tifozët presin me padurim që brezi i tyre i artë në futboll t’iu dhuroi diçka emocionuese, një kualifikim qoftë ky në Nations League, Kupën e Botës apo Evropian.

Edhe pse një kombëtare e re që nga pranimi i saj në FIFA, Kosova ka në përberje lojtarë si Edon Zhegrova i Lille-s, Amir Rrahmani i Napoli-t, Aro Muriç i Ipswich-t apo dhe Vedat Muriqi i Mallorca-s. Sigurisht pa harruar emra të tjerë që aktivizohen me klube me emër në Evropë si Augsburg, Freiburg, Torino, Hamburg, Koln, Besiktas si dhe Sparta e Pragës.

“Dardanët”, pra, janë në epokën e brezit të artë, ndaj pritshmëritë janë të larta në radhët e tifozëve dhe opinionit sportiv, megjithëse deri më tani nuk po shihet dritë në fund të tunelit.

Të mos harrojmë një fakt shumë interesant, futbolli është i pamëshirshëm. Dhe, kjo pamëshirshmëri e futbollit ka bërë që shumë breza të artë të dështojnë. Këtu, flasim për breza të cilet kanë qenë shumë herë më lartë se Kosova.

Belgjika e dekadës së fundit me emra si Eden Hazard, Kevin de Bruyne, Romelu Lukaku, Thibaut Courtois, Vincent Kompany e shumë të tjere nuk arriti të ngrite asnjë tofe, ndonëse për shumë kohë qëndroi si numri një në renditjen e FIFA-s.

Një nga aplikimet e para të njohura të termit “gjeneratë e artë” në futboll ishte për kampionët e botës U-20 të Portugalisë në fund të viteve 1980 dhe fillim të viteve 1990. Në përbërje kishte emra të mëdhenj si Rui Costa dhe Luis Figo. Por, trofetë ishin zero.

Megjithatë, asnjë ekip me një brez të artë lojtarësh, ndoshta nuk e ka njollosur konceptin aq shumë sa Anglia. Skuadra për Kupën e Botës në 2006 në Gjermani përmbante disa nga lojtarët më të famshëm në botë Wayne Rooney, David Beckham, Frank Lampard, Steven Gerrard, Rio Ferdinand dhe John Terry.

Por, pasi dominuan në fazën e grupeve, ata u eliminuan në çerekfinale nga Portugalia. Anglia nuk arriti as të kualifikohej në Kampionatin Evropian dy vjet më vonë.

Duke folur në prag të Kupës së Botës në vitin 2014, Ferdinand reflektoi se të cilësuarit si brezi i artë “rriti pritshmëritë”. “Njerëzit”, tha ai, “prisnin që ne të fitonim trofe…”.

Dhe tani, si rasti me Anglinë, Portugalinë apo Belgjiken, ashtu edhe Kosova duket se po djeg një brez të artë, i cili mund të arrijë shumë më shumë nga çfarë ka bërë deri më sot me potencialin që ka. Kuptohet nuk po flasim për trofe ndërkombëtarë, por së paku për ecuri pozitive dhe kualifikime të mundshme.

Në Kosovë, Shqipëri dhe kudo ku ndiqet Kombëtarja “Dardane” ka një ndjenjë se ky është një grup lojtarësh që nuk e kupton plotësisht potencialin që ka, sepse shpresat te ata janë kaq të mëdha.

Në futboll ‘gjeneratat e arta’ shpesh dështojnë. Por, lë të shpresojmë që ky nuk do të jetë rasti për Kosovën, ndonëse koha po kalon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore