Lajme

“Kosova dhe Libia do vazhdojnë të forcojnë lidhjen e tyre”


Ambasadori i Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu dhe ambasadorin e Libisë në Portugali Erhayem.

Ambasadori i Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu gjatë së enjtes është takuar me ambasadorin e Libisë në Portugali, të cilin e ka falënderuar për miqësinë ndaj Kosovës.

Takimin e ka bërë të ditur Kryeziu, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Twitter’.

“Një kënaqësi për t’u pritur nga SH.T. Saad A. A. Erhayem, Ambasador i Libisë në Portugali. E falënderova ambasadorin Erhayem për pritjen e tij miqësore dhe miqësinë e Libisë ndaj Kosovës. Kosova dhe Libia do të vazhdojnë të forcojnë lidhjen e tyre”, ka shkruar Kryeziu.

Më 12 janar, ambasadori i Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu, është takuar edhe me homologun e tij nga Guinea-Bissau.

“Pritje e ngrohtë nga kolegu im i dashur, ambasadori i Guinea-Bissau në Portugali, Helder Vaz Lopes rikonfirmoi marrëdhënien e mirë që Kosova ka me Gunea Bissau dhe e cila vetëm do të vazhdojë të forcohet”.

Edhe ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, këtë të mërkurë është takuar me ambasadoren e Libisë në Belgjikë, Amel Jerary, në Bruksel.

Takimet e ambasadorëve të Kosovës me përfaqësues të shteteve afrikane janë shpeshtuar këtë muaj pasi Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, javë më parë kishte pretenduar se nëntë shtete, kryesisht nga Afrika, tashmë kanë ndryshuar pozicion në raport me shtetësinë e Kosovës, në mesin e tyre ishte edhe Guinea Bissau.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore