Kosova

Kosova demanton Serbinë se dronët “Bayraktar” vëzhguan bazat serbe


Ministria e Mbrojtjes e Kosovës e ka mohuar se dronët “Bayraktar” kanë vëzhguar bazat e ushtrisë serbe, siç ka pretenduar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Nuk qëndron lajmi që ne operojmë apo koordinojmë me ndokënd operime jashtë kufijve të Kosovës. Qëllimi i kapaciteteve tona ajrore është mbështetja e operacioneve brenda territorit të Kosovës”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga kjo ministri për The Geopost.

Po ashtu, në përgjigje theksohet se Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të saj ka Njësinë e Sistemeve Ajrore pa pilot.

“Kjo njësi është e dizajnuar për të operuar me fluturaket, pa pilot dhe normalisht realizon operime edhe me dronët TB2”.

Ndryshe, gjatë kësaj të enjte, presidenti serb potencoi se dronët “Bayraktar” TB-2 të cilët Qeveria e Kosovës i ka blerë nga Turqia, më 5 dhe 6 qershor janë ngritur në lartësi prej 5800 metra me synimin për të vëzhguar pozicionin e ushtrisë serbe.

“I kemi shikuar si pëllëmbën e dorës dhe po të ishte ndonjë kohë tjetër nuk do të qëndronin gjatë në ajër, pasi është hapësira ajrore nën kontrollin e KFOR-it, ne e respektojmë hapësirën e KFOR-it, ata po bëjnë punën e tyre, ne po bëjmë tonën”, tha Vuçiç.

Ndryshe, vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati prezantuar dronët Bayraktar TB-2 të cilët Qeveria i kishte blerë nga Turqia.

Vuçiç pretendon se dronët “Bayraktar” vëzhguan bazat ushtarake serbe: Po të ishte kohë tjetër, s’do të qëndronin gjatë në ajër

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore