Lajme

Kosova bashkëpunuese nën presion – Serbia kërkon “extra time” për dinarin


Ilustrim

Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen për çështjen e dinarit serb as në takimin e tretë që u zhvillua të enjten ndërmjet ekipeve negociatore, ndërsa Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, deklaroi se palët – megjithatë – janë afër gjetjes së mesit të përkohshëm mbi dy propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Në takimin e fundit që kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan nën ndërjmetësimin e Lajçakut në Bruksel të Belgjikës mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb, palët nuk u pajtuan mbi kompromisin e propozuar për zgjidhje të krizës nga BE-ja.

“Unë prita një tjetër cikël të diskutimeve mes të dy kryenegociatorëve për zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga vendimi i BQK-së. Ne i kemi afruar dallimet midis propozimeve të dy palëve. Kam në plan të vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi diplomati sllovak në platformën “X” pas takimit të 4 prillit 2024.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare, njoftoi pas takimit se Kosova e pranoi ofertën e Lajçakut për zgjidhje të problemit mbi dinarin serb, duke e konsideruar “propozim konstruktiv” që njëkohësisht është brenda Rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Kosovës për politikën monetare.

“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, zoti Lajçak ka nxjerrë një propozim nga ana e tij – propozim të konsoliduar – për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe respekton në tërësi rregulloren e BQK-së”.

E përderisa u tha se pala kosovare e pranoi “propozimin konstruktiv” të Lajçakut, delegacioni serb në udhëheqjen e drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, nuk tregoi gatishmëri që të reflektojë dhe rrjedhimisht, refuzoi ofertën e Lajçakut për kompromis të negociuar, ndërsa kërkoi “kohë shtesë” për çështjen në fjalë.

“Ne kemi përsëritur edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk pati vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër mbi këtë temë”, pretendoi Petkoviç pas takimit që zgjati disa orë në një prej zyrave të BE-së.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e së enjtes, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë pas dy javësh, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore