Kosova

Kosova aplikoi në Këshillin e Evropës – këta janë hapat e radhës deri në anëtarësim


Flamuri i Kosovës.

Të enjten e 12 majit, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Por, çka pas aplikimit?

Ligjëruesi i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, në një bisedë për Albanian Post sqaron hapat që do të merren që të arrihet deri tek anëtarësimi në Këshillin e Evropës.

“Hapi i parë është gjithmonë me rëndësi, pas këtij hapi besoj që shumica e shteteve anëtare, aq sa kërkohet nga komuniteti i ministrave, do ta bëjë një kërkesë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës që ta formojë një komision që t’i verifikojë pastaj të gjitha kriteret ligjore që duhet t’i përmbush Republika e Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e këtij Këshilli”, tregon ai.

“Karta evropiane për të drejtat e njeriut, Konventa sociale e evropiane, të gjitha këto kritere në një farë mënyre Kosova i plotëson meqë janë të inkorporuar edhe në Kushtetutën e Kosovës”.

Arifi thotë se kohëzgjatja e këtij procesi nuk mund të jetë e ditur akoma.

“Afat kohor nuk mund të jap, sepse e para; duhet të formohet Komisioni, pastaj Komisioni e bën verifikimin mandej raportimin, pas atij raportimi ai raport duhet të votohet në Asamblenë Evropiane për pranim, për dëgjim e kështu me radhë e mandej është në dorën e diplomacisë që ta përfundojë punën tjetër të mbetur që të lobojmë sa më shumë”.

Këshilli i Evropës.

Arifi shton se “këtu një gjë pozitive është që kërkohen 2/3 e votave dhe për fat të mirë, Kosova duket se i ka, por vetëm normalisht që duhet t’i sigurojë edhe në mënyrë të fuqishme që të jenë pro kur vjen puna te votimi për pranim”.

Ndërsa, ish ministri i punëve të jashtme dhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post, ka bërë të ditur se puna për të arritur deri tek ky aplikim ka filluar moti.

“Sa kam qenë ministër i Jashtëm jemi anëtarësuar në Komisionin e Venecias dhe në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës dhe sot Qeveria e ka mbështetjen e plot timen për këtë aplikim. Duhet të lobohet fuqishëm sa te deputetët që janë anëtare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, po aq edhe sa te qeveritë e vendeve anëtare dhe shtetet anëtaret duhet të e mbështesin anëtarësimin e plotë”, deklaroi Hoxhaj për AP.

Ndër të tjera, ai konsideron se aplikimi është bërë në rrethana të përshtatshme.

“Nuk ka pasur asnjëherë rrethana më të përshtatshme për aplikim dhe anëtarësim sesa tani, meqë ajo është duke u udhëhequr nga shtetet njohëse dhe mbështetëse të Kosovës. Renja strategjike e Rusisë pas humbjeve në Ukrainë, përjashtimi i Rusisë nga vetë Këshilli i Evropës dhe izolimi ndërkombëtar i Serbisë do të rezultojë me anëtarësim të plotë nëse aplikimi është profesional e kredibil”.

Sipas Hoxhaj, duhet të kërkohet që të ketë bashkëpunim edhe me partnerët e tjerë.

“Duhet të ketë edhe koordinim të plotë me partnerët gjermane, franceze dhe evropiane të tjera. Kosova i plotëson të gjitha kriteret politike, procedurale dhe institucionale për t’u bërë anëtare dhe duhet lobim sa me qeveritë evropian dhe po aq me deputet e asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës”.

Këshilli i Evropës konfirmon për Albanian Post se ka pranuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim

Këshilli i Evropës ka konfirmuar se aplikimi i qeverisë së Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, është marrë të enjten e 12 majit.

“Mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është marrë”, shkruan fillimisht Dushan Vojnoviç për Albanian Post.

Drejtori i Komunikimeve për Ballkanin Perëndimor në KiE theksoi se aplikimi po i transmetohet Komitetit të Ministrave.

Kjo, në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës.

Njoftimin se Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin në Këshillin e Evropës fillimisht e dha ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla

Përmes një video-mesazhi, Gërvalla nënvizonte se Kosova e meriton të jetë anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare.

“Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë në instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare dhe për fund edhe të Këshillit Ministror”, shprehu ajo përmes një videoje të postuar në median sociale Facebook.

Sipas saj, Kosova është vendi më demokratik në rajon, më pro-evropian në rajon dhe më optimist në rajon.

Referuar kësaj, kryediplomatja shtoi se Kosova e meriton të jetë “anëtare e Këshillit të Evropës”.

Ajo shprehu bindjen sakaq se “kjo procedurë që ka nisur sot do të përfundojë me anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Ndërtimi i situatës

Më herët, qeveria e Kosovës miratoi në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe”.

Vendimi i miratuar urdhëronte Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillonte të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Gjatë ditës, lidhur me anëtarësimin në KiE, është prononcuar edhe lideri i vetëm institucional, i cili aktualisht gjendet në Kosovë, Glauk Konjufca.

“Kemi edhe një delegacion që është atje, i cili është i përhershëm i Kosovës në kuadër të parlamentit, i cili merr pjesë vazhdimisht në asamblenë e KiE”, u shpreh Konjufca, kur u pyet për votat.

Sipas kryeparlamentarit, është bërë punë e madhe prej të paktën një viti.

Në vijim, Konjufca theksoi se për të arritur anëtarësimin duhet të ketë “bashkëpunim edhe me partitë opozitare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore