Shqipëria

Korridori 8, ëndrra që po bëhet realitet


Plani amerikan për një korridor pan-evropian që do të krijonte lidhjen me perëndimin ndërmjet shteteve të Ballkanit, i quajtur Korridori i 8-të, e që u rikthye në fokus të BE-së përmes projektit infrastrukturor evropian TEN-T, po bëhet realitet.

Një ditë më parë në Maqedoni të Veriut u vu gurëthemeli i këtij projekti, Korridorit të 8-të.

Korridori 8 është një nga dhjetë korridoret e rrjetit të Transportit pan-evropian.

Në ceremoninë e gurëthemelit, i cili u mbajt në qytetin e Tetovës, qeveria Maqedone kishte ftuar personalitete të ndryshme, të cilët iu gëzuan nisjes së këtij projekti gjigant.

Gurthemeli i Korridorit 8 nuk është vetëm fillimi i një infrastrukture të re rrugore, por është edhe gurthemeli i investimeve të reja, hapja e tregjeve të reja, mundësitë për bashkëpunime të reja si ndërmjet kompanive vendore ashtu edhe me ato ndërkombëtare, ka thënë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në fjalën e tij gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të këtij projekti.

“Akti i sotëm është fillimi i një vepre serioze strategjike dhe shtetërore, përfitimin e të cilit do ta shohin gjeneratat aktuale dhe të ardhshme të vendit tonë, por edhe dy vendet fqinje në lindje dhe në perëndim, që janë lidhur me Korridorin 8, dhe me të gjithë ata që do të kalojnë nëpër të. Me pozitën gjeostrategjike dhe Korridorin 8, ne bëhemi një rrugë e pashmangshme transporti si në rajon ashtu edhe më gjerë”, tha Kovaçevski në fjalën e tij përshëndetëse.

Ndërtimi i Korridorit 8 nënkupton më pak shpenzime për transport dhe transport më të shpejtë, lidhje dhe integrim të Maqedonisë së Veriut, si dhe zhvillim ekonomik dhe rajonal të vendit. Do të thotë edhe lidhshmëri të shtetit me vendet e tjera evropiane, që nënkupton investime të huaja, zhvillim ekonomik të vendit, transferim më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave, turizëm të zhvilluar dhe mbi të gjitha rrugë të sigurta për qytetarët, ka thënë kryeministri.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka thënë se Seksioni i ri i autostradës Tetovë-Qafë Thanë është pjesë e projektit më të madh dhe më domethënës të infrastrukturës me rëndësi strategjike për Maqedoninë e Veriut.

“Realizimi i tij, do të lidhë Detin Adriatik dhe atë të Zi (e prej atje edhe me Italinë) me infrastrukturën rrugore më bashkëkohore dhe do të kontribuojë në lidhje më të mirë, transport të lehtësuar të njerëzve, mallrave dhe materialeve, rritje të tregtisë, kontakteve të biznesit dhe investimeve, e me këtë edhe për rritjen dhe zhvillimin ekonomik përgjatë Korridorit 8”, ka thënë Osmani.


Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri iu gëzua këtij projekti duke treguar rëndësinë e tij.

“Kënaqësi e madhe dhe nder për të gjithë ne që sot vendosëm gurthemelin e një projekti shumë të madh, Korridori i 8 që do të mundësojë lidhje me autostradë prej 6 korsishë nga Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova dhe Struga, deri në Tiranë, Durrës e Vlorë”, ka thënë Shaqiri.

Kordinatori i grupit parlamentarë të BDI-së Arbër Ademi ka thënë se ky Korridor po bëhet realitet falë angazhimit dhe punës së Qeverisë.

Ai ka njoftuar gjithashtu se Korridori 8-të do të bëj lidhjen e shqiptarëve nga Kumanova deri në Shqipëri.

“Korridori 8 po bëhet realitet. Vendosja e gurthemelit për fillimin e ndërtimit të autostradës me gjashtë korsi të korridorit 8, nga Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga e deri në Tiranë, Durrës dhe Vlorë”, ka thënë Ademi.

Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Anxhela Ageler se kjo ditë nuk është e vecantë vetëm për shtetin por edhe për Ballkanin Perëndimor e për të gjithë Evropën.

“Ky është një investim për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha vendeve të lidhura me Korridorin 8 dhe më gjerë. Përmirësimi i rrugëve në Maqedoninë e Veriut është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik. Zhvillimi i këtij rrjeti modern rrugor do të ndihmojë në lëvizjen e njerëzve, lëvizjen e mallrave dhe tërheqjen e investimeve. Rrugët e mira të transportit si Korridori 8 do ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të përmirësojë integrimin e saj rajonal dhe të ndërtojë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj”, tha Ageler.

Konsorciumi “Behtel dhe Enka” do të realizoj këtë projekt infrastrukturor me gjatësi totale rreth 110 kilometrash. Shon Keni, përfaqësues i këtij konsorciumi falënderoi qeverinë për besimin e dhënë.

“Ne kemi një histori të gjatë të autostradave të përfunduara me sukses në Ballkan. Ky partneritet vlerëson të gjithë projektin dhe ne do të përdorim furnitorët vendor, do të ofrojmë punësim për popullatën lokale, si dhe një furnizim afatgjatë të punëtorëve të ndërtimit që do të jenë në dispozicion për ne për përpjekjet e ardhshme të ndërtimit”, tha Keni.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi tha se romakët e kanë quajtur këtë rrugë “Via Ignatia” dhe si tërësi projekti pritet të përfundoj pas katër vitesh e gjysmë.

“Nëse 30 vjet më parë udhëtonim nga Tetova në Tiranë për 12 deri në 14 orë, sot në këtë rrugë do të udhëtojmë për katër ose pesë orë. Pas ndërtimit të kësaj autostrade do të duhen vetëm dy orë për të udhëtuar. Ky është avantazhi i këtij projekti kapital që do të mundësojë zhvillim më të madh ekonomik”, tha Rustemi.

“Ditë Historike”, për vendin e ka vlerësuar nisjen e këtij projekti, deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Rina Ajdari, e cila edhe morri pjesë në ceremoninë e vënies së gur-themelit.

“Ëndrra e shumë gjeneratave po realizohet, lidhja e shumë pritur pan-evropiane e të dy brigjeve, atë të Adriatikut me Detin e Zi. Një projekt me rëndësi të madhe për mirëqenien dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve. Ndërtojmë ardhmërinë bashkë!”, ka deklaruar Ajdari.

Në këtë ceremoni inaugurimi ishte dhe biznesmeni i njohur dhe filantropi i shquar shqiptar, Lazim Destani.

“Në këtë ngjarje, ku dita e sotme u quajt historike, morën pjesë autoritete qeveritare nga tre vendet e rajonit që i përshkon ky Korridor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Realizimi i këtij investimi kapital për modernizimin e infrastrukturës rrugore që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, që lidh portet shqiptare të Durrësit e të Vlorës me portet bullgare të Varnas dhe Burgasit, do të mundësojë rritjen e zhvillimit ekonomik, kushte më të mira për zhvillim biznesi, por edhe jetë më cilësore dhe lidhje me Korridoret kryesore europiane”, ka thënë Destani.

Sipas tij, “me përfshirjen e Korridorit 8 në rrjetin TEN-T (Rrjeti Trans-Europian i Transportit), për herë të parë infrastruktura e Ballkanit Perëndimor është pjesë integrale e korridoreve europiane. Krahas të mirave që i sjell gjithë rajonit, për trojet tona Korridori 8 është me rëndësi strategjike. Qarkullimi i lehtë dhe i shpejtë i njerëzve dhe mallrave në masë të madhe do ta bëjë ndryshimin e ritmit të zhvillimit ekonomik, shoqëror e të gjithmbarshëm të vendeve tona. Për zhvillimin e një vendi, autostradat janë si arteriet për trupin e njeriut”.

Pasqyruar edhe në harta historike, si “Rruga Egnatia” e perandorisë Romake, ishte zgjatimi lindor i “Rrugës Appia” që lidhte Romën me Brindisin dhe ajo lidhte Adriatikun me Bosforin.

Sot i njëjti projekt lidh Barin dhe Brindisin në Itali me bregun lindor të Adriatikut dhe vazhdon deri në brigjet e Bullgarisë.

Në vitin 2002, Italia, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Turqia nënshkruan në Bari një Memorandum Mirëkuptimi për projektin që synonte harmonizimin e parametrave teknik dhe caktimin e projekteve që do të kryheshin përgjatë aksit të Korridorit, së bashku me shkëmbimin e informacionit, formulimin e rregulloreve për investimet, parakushtet për përdorim më efikas të fondeve dhe asistencë teknike si nga subjektet publike ashtu edhe ato private. Por ndryshimet e asaj kohe brenda Bashkimit Evropian, i dhanë përparësi një tjetër projekti infrastrukturor, TEN-T, për vendet anëtare të saj. Por nga shtete që do të zhvillonin Korridorin 8, vetëm dy ishin dhe janë pjesë e BE-së, Italia dhe Bullgaria, që morën edhe financimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore