Shqipëria

Korridori 8, ëndrra e Ali Ahmetit për unazën e madhe shqiptare


“Ishte ëndrra e tij (Ali Ahmetit) dhe na e mundësoi ta realizojmë”, ishte fjalia e fundit e Artan Grubit, Zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë në Maqedoninë e Veriut, në ceremoninë e gurthemelit të Korridorit 8.

“Bac u kry, kryetar edhe kjo punë”, iu drejtuar Grupi, Ali Ahmetit, Kryetarit të partisë Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili njihet edhe si arkitekti i këtij projekti, mbështetës i plotë dhe shumë i fuqishëm i ekzekutivit maqedonas për të shtyrë përpara projektin e Korridorit 8. Projekt infrastrukturor që, veç tjerash, ndërlidhë përmes linjave rrugore gjithë hapësirën shqiptare në Maqedoni me pjesën e Shqipërisë dhe më gjerë.

Artan Grubi, Zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë në Maqedoninë e Veriut

Grubi, i cili kurorëzoi bashkimin më të madh infrastrukturor të shqiptarëve, në ceremoninë e gurthemelit në Tetovë tha se ky projekt është vetëm një fillim i mbarë i një pune të madhe që nga pavarësia e shtetit.

“Jam i lumtur që qëndroj këtu para jush si udhëheqës i Komitetit për Realizimin e Negociatave për Ndërtimin e Projektit Korridori 8 dhe 10 D”.

“Falënderoj kolegët ministra, sidomos ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që qëndron gjithmonë pas projekteve dhe ideve tona, partnerët tanë mbikëqyrës dhe gjithë bashkëpunëtorët që marrin pjesë në këtë projekt. Ky projekt është vetëm një fillim i mbarë i një pune të madhe, më e madhja që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut”, tha Grubi.

Veç Grupit në këtë ceremoni të organizuar nga qeveria maqedone e me shumë pjesëmarrës, fjalën e mori edhe Ali Ahmeti. Kryetari i BDI-së tha se të bësh punë të mira për njerëzit është mrekulli.

Ali Ahmeti, Kryetar ipartisë Bashkimi Demokratik për Integrim

“Të bësh më të mirë jetën e njerëzve, lëvizjen e tyre, të përparosh dhe ndikosh drejtpërsëdrejti në zhvillim e ekonomi e sidomos të lidhësh më ura e brigje një Ballkan të tërë është punë e ndritshme që do të shërbej edhe më tepër në lidhje më të forta miqësore, ekonomike e zhvillimore. Kjo është mrekullia”, u shpreh i emocionuar Ahmeti, për nisjen e këtij projekti për të cilin kishte folur e lobuar me vite të tëra.

Në çdo takim, me çdo përfaqësues nga Shqipëria e vende të Ballkanit, projektin e Korridorit të 8-të ai nuk e hoqi nga tavolina e diskutimit.

“Si mund të jesh në Evropë kur pesë orë duhet të udhëtosh nga Shkupi për në Strugë. Pikërisht Korridori 8 ta mundëson që për dy orë të jesh në Strugë dhe dy orë e gjysmë Shkup – Prishtinë e Shkup – Tiranë”, kishte deklaruar udhëheqësi i BDI-së, Ali Ahmeti para dy muajve.

Kjo ëndërr e kahmotshme e unazës më të madhe shqiptare, filloi të jetësohet kur në qeveri të Maqedonisë së Veriut u emëruar si zëvendës kryeministër një shqiptar, Artan Grupi.

“30 vite diskriminim, mbajtje të projekteve në sirtarë, kasaforta që të mos ketë qasje shqiptari t’i nxjerr dhe ta lidhë Shkupin me Tiranën me autostradë, Shkupin me Prishtinën me autostradë, ta bëj rrugën e Arbrit, nga Kërçova deri në Dibër, që të heq kufijtë me Kosovën e Shqipërinë. 30 vite diskriminim, 30 vite mashtrim”, kishte thënë Grubi me 4 mars, kur ky projekt kaloi sfidat legjislative e procedurale me të cilat u përball intenzivisht për dy vite me radhë.

Memorandumi i qeverisë maqedonase me kompaninë Bectel Enka u nënshkrua para dy vitesh. E më pas u miratua në Qeveri. Pas kësaj procedure Qeveria maqedone miratoi edhe një ligj i cili u votua në Kuvend por u sfidua dy herë në Gjyjkatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut dhe kishte një periudhë shumë të ngarkuar e të komplikuar deri në momentin e firmosjes së kontratës përfundimtare me kompaninë ekzekutuese të punimeve, Bectel Enka. E cila më pas kaloi edhe në Qeveri, ku përmes një vendimi u miratua kjo kontratë.

Gurthemeli u vu me 4 prill, por punimet do të nisin pak më vonë, me 22 prill të vitit 2023.

Korridori 8 nis nga Tetova ku deri në Gostivar do të ndërtohet autostradë tërësisht e re, me gjashtë korsi. Autostradë e re do të ndërtohet edhe nga Gostivari në Kërçovë. Më pas në Kërçovë lidhet me projektin i cili aktualisht është duke u ndërtuar nga qeveria maqedonase, i ashtuquajtur “projekti kinez”, i cili lidh Kërçovën me Ohrin. Në Fshatin Trebenishtë bëhet ndarja për në qytetin e Strugës dhe në Qafthanë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut aktualisht është në bisedime me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për të ndryshuar vendkalimin kufitar nga Qafa e Thanës. Që ky projekt të ketë kosto më të ulët në këtë pikë dhe rreth 15 kilometra më pak, po kërkohet që pika kufitare në këtë zonë të ulet pak më poshtë.

Pastaj në Shqipëri, lidhja e kësaj autostrade bëhet në fshatin Bushtricë, pas qytezës Prenjac. Më pas i mbetet Qeverisë së Shqipërisë për të vendosur nëse lidhja do të bëhet përmes Rogozhinës apo përmes Librazhdit në Elbasan. Që në fund fare ky projekt të lidhet me Durrësin, Portin e Thatë.

Projekti i Korridorit 8 do të shtrihet në gjatësi prej 68 Km, ndërsa Korridori 10-D, në gjatësi prej 40 km autostradë me 6 korsi, që do të lidhë Prilepin me Manastirin.

Projekti historik Korridori 8 dhe ai 10 D, do të finalizohet në periudhë prej 6 viteve që nga fillimi i punimeve.

Realizimi i këtij investimi më të madh kapital në historinë e Maqedonisë së Veriut do të kontribuojë në ekonominë, modernizimin e infrastrukturës rrugore, e në të ardhmen do të mundësojë zhvillim shtesë të shërbimeve, kushte më të mira për zhvillimin e biznesit, jetë cilësore dhe lidhje me fqinjët dhe korridoret ndërkombëtare.

Pasqyruar edhe në harta historike, si “Rruga Egnatia” e perandorisë Romake, ishte zgjatimi lindor i “Rrugës Appia” që lidhte Romën me Brindisin dhe ajo lidhte Adriatikun me Bosforin.

Sot i njëjti projekt lidh Barin dhe Brindisin në Itali me bregun lindor të Adriatikut dhe vazhdon deri në brigjet e Bullgarisë.

Në vitin 2002, Italia, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Turqia nënshkruan në Bari një Memorandum Mirëkuptimi për projektin që synonte harmonizimin e parametrave teknikë dhe caktimin e projekteve që do të kryheshin përgjatë aksit të Korridorit, së bashku me shkëmbimin e informacionit, formulimin e rregulloreve për investimet, parakushtet për përdorim më efikas të fondeve dhe asistencë teknike si nga subjektet publike ashtu edhe ato private. Por ndryshimet e asaj kohe brenda Bashkimit Evropian, i dhanë përparësi një tjetër projekti infrastrukturor, TEN-T, për vendet anëtare të saj. Por nga shtete që do të zhvillonin Korridorin 8, vetëm dy ishin dhe janë pjesë e BE-së, Italia dhe Bullgaria, që morën edhe financimet.

Korridori 8 është një nga dhjetë korridoret e rrjetit të Transportit pan-evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore