Lajme

Koreja e Jugut mohon dërgimin e armëve në Ukrainë pas komenteve të Putinit


Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, ka mohuar se Seuli ka ofruar armë vdekjeprurëse për Ukrainën, pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se një vendim i tillë do të shkatërronte marrëdhëniet e tyre dypalëshe.

Putin e bëri këtë koment në një konferencë në Moskë të enjten, duke akuzuar Perëndimin për nxitjen e luftës në Ukrainë dhe duke theksuar se një vendim i Koresë së Jugut për të furnizuar Ukrainën me armë do të shkatërronte marrëdhëniet, duke e barazuar një lëvizje të tillë me dërgimin e armëve nga Moska në Korenë e Veriut.

“Ne kemi ofruar ndihmë humanitare dhe paqësore për Ukrainën në solidaritet me komunitetin ndërkombëtar, por kurrë armë vdekjeprurëse apo gjëra të tilla”, u tha Yoon gazetarëve të premten, sipas Agjencisë së Lajmeve të Koresë së Jugut “Yonhap”.

“Në çdo rast, është një çështje e sovranitetit tonë dhe unë do të doja që ju të dini se ne po përpiqemi të mbajmë marrëdhënie paqësore dhe të mira me të gjitha vendet anembanë botës, përfshirë Rusinë”, shtoi ai.

Seuli kishte dërguar jelek antiplumb, helmeta dhe pajisje të tjera ushtarake jo-vdekjeprurëse, si dhe furnizime mjekësore në Ukrainë dhe ka refuzuar kërkesat e Kievit për armë, raportoi “Yonhap”.

Një aleate e Shteteve të Bashkuara, Koreja e Jugut ka pohuar se nuk do t’i jepte Ukrainës ndihmë vdekjeprurëse dhe ka kërkuar të shmangë antagonizimin e Rusisë, si për arsye ekonomike, ashtu edhe për ndikimin që Moska mund të ushtrojë mbi Korenë e Veriut.

Pushtimi i Putinit në Ukrainë, i cili filloi tetë muaj më parë, ka vrarë mijëra, ka zhvendosur miliona, ka tronditur ekonominë globale dhe ka rihapur ndarjet e kohës së Luftës së Ftohtë.

Në një konferencë në Moskë të enjten, Putin mbrojti luftën e tij dhe fajësoi SHBA-të dhe Perëndimin për nxitjen e konfliktit në Ukrainë, duke shtuar se Perëndimi po luante atë që ai e përshkroi si një lojë gjeopolitike “të rrezikshme, të përgjakshme dhe të ndyrë” që po mbjell kaos në të gjithë botën.

Putin kritikoi gjithashtu SHBA-të për ndërhyrjen në mosmarrëveshjen e Kinës me Tajvanin, të cilën ai e quajti “në kundërshtim me sensin dhe logjikën e përbashkët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore