Koreja e Jugut po kërkon të rrisë shitjet e saj globale të infrastrukturës duke përfituar nga ajo që e sheh si zhgënjim me Kinën në Afrikë.
Kjo, ndërsa punon me kombet e tjera për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta.
Lajmi u bë i ditur nga kompania mediatike “Bloomberg”.
“Popullsia në mbarë botën po rritet me një shpejtësi shumë të lartë dhe ka shumë nevoja ndërtimi”, tha në një intervistë të martën ministri korean i Tokës, Infrastrukturës dhe Transportit Park Sang-woo. “Shumë prej kombeve u mungojnë ekspertiza dhe paratë, kështu që ata kanë nevojë për një partner”.
Seuli zyrtar po inkurajon zhvilluesit e tij që të ripërtërijnë vëmendjen e tyre ndaj vendeve me nevoja urgjente për infrastrukturën pas një rënieje të vlerës së marrëveshjeve nga një dekadë më parë.
Fokusi do të jetë në vendet në zhvillim, ku popullsia në rritje po nxit një rritje të kërkesës për rrugë, ura dhe porte, ndërsa ekonomia e Koresë së Jugut ngadalësohet dhe lindjet po ulen.
Për këtë qëllim, kombi po ndihmon në sigurimin e kredive për kompanitë për projekte zhvillimi, shtoi zyrtari korean.
Koreja e Jugut po pret gjithashtu Konferencën e Bashkëpunimit Global të Infrastrukturës këtë javë me pjesëmarrës nga rreth 30 vende, vërejti ai.
Ndërtimi është tashmë burimi i tretë më i madh i ekonomisë i të ardhurave të huaja pas gjysmëpërçuesve dhe automobilave, tha Park.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se Koreja e Jugut ka humbur një pjesë të madhe të biznesit të saj të ndërtimit jashtë shtetit, pasi ia lëshoi terren Kinës për ofrimin e marrëveshjeve të infrastrukturës.
Kina ka qenë një lojtar kryesor në bumin e infrastrukturës së Afrikës gjatë dekadës së fundit.
Ndonjëherë financimi i tij në shkallë të gjerë ka gjeneruar akuza se Pekin-i zyrtar po përdor kredi për të rritur ndikimin e tij politik.
Si pjesë e iniciativave të saj më të gjera ndërkombëtare, Koreja e Jugut po kërkon gjithashtu një pjesë më të madhe të përpjekjeve për rindërtim në Ukrainë.
Koreja e Jugut ka hedhur disa nga bazat për bashkëpunim duke furnizuar Ukrainën me ndihmë humanitare si një aleat i SHBA-ve që kur Rusia pushtoi vendin në vitin 2022.