Shqipëria

Korçë: Arrestohen dy persona që falsifikonin pasaporta diplomatike


Autoritetet kanë vënë në pranga të dielën e 18 qershorit dy shtetas të cilët falsifikonin pasaporta diplomatike me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve drejt SHBA-ve.

Operacioni policor i koduar “PBF” angazhoi Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Njësinë Speciale Policore “Joint Shield” pranë ambasadës amerikane në Shqipëri, Policinë Kufitare të Rinasit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë.

Gjatë operacionit janë vënë në hetim edhe disa shtetas të tjerë.

Hetimi vijon në bashkëpunim me agjencitë partnere.

Kjo, për dokumentimin e përfshirjes në këtë veprimtari kriminale, të subjekteve të tjera nga vendet fqinje.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me Njësinë Speciale Policore “Joint Shield”, në muajin prill të vitit 2023, kanë arrestuar shtetasen shqiptare D. I., 56 vjeçe, në tentativë për të udhëtuar drejt SHBA-ve, me një pasaportë diplomatike false, për të cilën pretendonte se ishte e lëshuar nga një OJF e njohur me emrin ‘PBF’, me seli jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, vëren Policia.

Pas hetimeve të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë, janë identifikuar disa shtetas të dyshuar si të përfshirë në veprimtaritë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave dhe dokumenteve të tjera.

Autoritetet kanë kryer veprime hetimore duke përdorur metoda speciale ligjore, në kohë dhe në vende të ndryshme, kryesisht në qarkun e Korçës, në lidhje me trafikimin e shtetasve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga hetimi janë grumbulluar prova për të paktën katër shtetas shqiptarë të dyshuar të përfshirë në veprimtaritë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të falsifikimit të dokumenteve.

Gjatë operacionit të përbashkët me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, janë arrestuar shtetasit D. M. dhe G. P., të dy banues në Korçë.

Për shtetasin G. P., Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shkak të moshës.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumente dhe pajisje të ndryshme elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, vijojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore