Shqipëria

Korça dhe Gjilani mund të binjakëzohen


Komuna e Gjilanit në Kosovë dhe Bashkia e Korçës në Shqipëri, mund të binjakëzohen.

Lajmin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy qyteteve e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Mbrëmë, kisha nderin të takoja ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi”.

“U dakorduam për thellimin e bashkëpunimit në projektet ku mund të përfshihen edhe komunat ndërkufitare, ku jetojnë shqiptarët si dhe mundësin e binjakëzimit të Komunës së Gjilanit me Bashkinë e Korçës”, ka shkruar Hyseni.

Ky bashkëpunim ndëkomunal, do të bëhet edhe për shkak të pozitës gjeografike të cilën e ka Gjilani.

“Gjilani, si një ndër komunat më të mëdha të Anamoravës, është edhe një ndër më të afërtat në kuptimin gjeografik me shqiptarët që jetojnë përtej kufijve dhe është obligim për të dyja shtetet tona që të përkujdesemi për ta, duke i përfshirë në projektet tona të përbashkëta”, ka përfunduar Hyseni.

Por ky nuk është binjakëzimi i parë ndërmjet qyteteve në dy shtete shqiptare.

Suhareka është qytet motër me Sarandën e Shqipërisë.

Mitrovicë është në partneritet me komunën e Vlorës.

Rahoveci është binjakëzuar me Përmetin e Shqipërisë në vitin 2017.

Qytetet e Kosovës të binjakëzuara me qytete të ndryshme të botës

Qytetet motra ose qytetet binjake janë një formë e marrëveshjes juridike ose shoqërore midis qyteteve nga vende të ndryshme të botës, për të promovuar lidhje kulturore dhe tregtare.

Koncepti modern i binjakëzimit të qyteteve, i konceptuar pas Luftës së Dytë Botërore në 1947, kishte për qëllim të nxiste miqësi dhe mirëkuptim midis kulturave të ndryshme dhe midis armiqve të mëparshëm si një akt paqeje dhe pajtimi dhe të inkurajonte tregti e turizëm.

“Binjakëzim” kanë edhe shumë qytete të Kosovës, me vende të ndryshme nëpër botë, që kanë lidhje të vazhdueshme mes vete.

Gjakova është qytet motër me Lodéve në Francë, që nga 12 maji 2013. Ky projekt u kurorëzua me nënshkrim e marrëveshje nga delegacioni i Komunës së Lodeve i përfaqësuar nga zëvendëskryetari i parë i kësaj komune, Hadj Madani dhe kryetari i atëhershëm i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj.

Poashtu me këtë komunë është binjakëzuar edhe qyteti Fort Dodge i shtetit të Iowa-s në Amerikë

Gjilani është binjakëzuar me qytetin Sioux City të Iova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shkurt të këtij viti, dhe me Komunën Nazili nga Republika e Turqisë që nga viti 2011.

Ndërsa, Kaçaniku është në partneritet me Moosseedorf të Zvicrës. Partneriteti midis këtyre dy komunave ekziston që nga viti 2000.

Podujeva është qytet motër me Velbertin e Gjermanisë. Certifikata e partneritetit u nënshkrua në 12 prill 2019 nga kryetarët e bashkive të dy qyteteve.

Prishtina është në partneritet me Ankaran e Turqisë që nga viti 2005, dhe Bursën që 2010-ta, Des Moines të Amerikës e Namur të Belgjikës që nga viti 2016.

Drenasi është binjakëzuar me qytetin Karaisali, komunë në kuadër të Adanas në Turqi.

Suhareka është qytet motër më Lilburnin e Amerikës që nga 15 korriku i vitit 2013, një muaj pasi kryetari Johnny Crist bëri një udhëtim biznesi atje.

Ky qytet poashtu është binjakëzuar me Komunën e Serikut të Turqisë, Fellbach-un e Gjermanisë e Sarandën e Shqipërisë.

Mitrovicë është në partneritet me komunën Inegyl, atë të Beshiktashit, Vlorës.

Rahoveci është binjakëzuar me dy komuna të Italisë, Frascineto dhe Civita në vitin 2019 e Përmetin e Shqipërisë në vitin 2017.

Deçani është qytet motër me komunën e Plavës e atë të Ulqinit.

Ndërsa, Peja në vitin 2017 është binjakëzuar me komunën Bağcılar e në 2018-tën me atë të Sariçamit në Turqi e me Gucinë.

Lipjani poashtu është qytet motër me Komunat Frascineto dhe Civita nga Italia që nga viti 2019.

Prizreni u binjakëzua me Kushadasin, Eskishehirin, Amasyan e Turqisë, Beratin e Shqipërisë, Zagrebin e Osijekun e Kroacisë, Bingenin e Gjermanisë.

Qyteti i Vushtrrisë u binjakëzua me qytetin Norëalk të SHBA-ve, Fierin e Shqipërisë.

E Vitia që nga 2012-ta u binjakëzua me Masonin e Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore