Koordinatori amerikan kundër korrupsionit takon Dumanin: SHBA-të, të përkushtuara për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë

SHFLETO
Rajmonda Basha
20.06.2024 18:29
Loading Icons...

Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global i qeverisë Amerikane, Richard Nephew ndodhet në Tiranë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë.

Një takim pasditen e sotme e pati dhe me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe prokurorë të SPAK dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të drejtësisë.

“Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew pa sot në veprim institucionet gjyqësore shqiptare gjatë takimeve me kreun e SPAK, Altin Dumani, prokurorët e SPAK, si dhe përfaqësues të Ministrisë Anti-Korrupsion, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Agjencisë së Prokurimit Publik”, thuhej në njoftim.

Nephew dhe zyrtarët shqiptarë diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e drejtësisë që po forcojnë demokracinë e Shqipërisë teksa ajo përparon në rrugën e saj drejt BE-së”.

Më herët, sot u takua me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias shqiptare.

Takimi u zhvillua “për të dëgjuar perspektivat e tyre për luftimin e korrupsionit dhe promovimin e transparencës në qeveri”.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’i dhënë fund mosndëshkimit në shkallë globale, duke përfshirë mbështetjen e organizatave që luajnë një rol të rëndësishëm mbikëqyrës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Tiranë.

Nephew po viziton Shqipërinë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë.

Më 16-17 qershor, Koordinatori Nephew vizitoi Podgoricën, Malin e Zi për t’u takuar me zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Atje theksoi se reformat kundër korrupsionit janë sfiduese, politikisht komplekse dhe të kushtueshme, por thelbësore për integrimin e Malit të Zi në BE.

Gjithashtu nënvizoi që si politikanët ashtu edhe qytetarët të qëndrojnë të paanshëm, duke i dhënë përparësi interesit publik dhe duke qëndruar të fokusuar në luftën kundër korrupsionit.

“U bëj thirrje politikanëve dhe qytetarëve të bashkohen në luftën kundër korrupsionit, të demonstrojnë një përkushtim për t’i dhënë përparësi interesit publik së bashku. Dhe u bëj thirrje liderëve politikë të qëndrojnë të fokusuar në ruajtjen e shtetit ligjor. Përcaktoni shpërqendrimet politike, qëndroni të paanshëm dhe vendosni një themel të fortë për prosperitetin e vendit”, tha ai.

Në datat 18-19 qershor, Nephew iu bashkua seancës plenares hapëse të Konferencës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, si dhe sesioneve të tjera zyrtare.