Kontrolli i vilës në Hamallaj, Ahmetaj ankimon vendimin në Gjykatën e Lartë

Brixhilda Xhuraj
20.04.2023 10:42
Loading Icons...

Pas rrëzimit nga Apeli i Gjykatës së Posaçme (GJKKO),  ish-ministri Arben Ahmetaj ka ankimuar në Gjykatën e Lartë vendimin për kontrollin e vilës në Hamallaj.

Disa ditë më parë, Apeli e cilësoi të rregullt kontrollin duke lënë në fuqi sekuestron e banesës.

Më herët, një vilë në zonën e Palasës, në jug të Shqipërisë, është sekuestruar nga SPAK, ku dyshohet se ajo është pronë e ish-bashkëshortes së Ahmetajt, i cili po hetohet lidhur me çështjen e njohur si “Inceneratorët”.

Vila e vënë nën sekuestro është e njëjta ku u kryen kontrolle më 9 mars dhe për të cilën ish-gruaja e Ahmetajt, nuk ka pranuar se është në pronësinë e saj.

Po ashtu, veprime hetimore janë kryer nga ana e Byrosë Kombëtare të Hetimit sërish, si edhe të përfshirë në aksion kanë qenë edhe efektië të Policisë së Vlorës.

Vetë Ahmetaj, më parë, ka kërkuar nga Apeli i Gjykatës së Posaçme, të shpallë si të kundërligjshëm vendimin për të kontrolluar banesat e ish-gruas së tij, apo të partneres aktuale.

Kjo pasi “nuk është marrë leje nga Kuvendi duke qenë se ai është deputet dhe jeton aty”.

Sipas Ahmetaj bashkëjetuesja nuk është informuar paraprakisht për të pasur praninë e një mbrojtësi ligjor.

Ishte SPAK që bëri me dije disa ditë më parë se Arben Ahmetaj po hetohet më vete në rastin e njohur si çështja e inceneratorëve.

Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete.

Madje, në dosjen ndaj tij, është ndryshuar edhe prokurori hetues, ku më parë ka qenë Klodjan Braho, i cili është zëvendësuar me kërkesën e vetë atij nga prokurorja Enkeleda Millonaj.

Kjo gjë është bërë me vendimin e vetë drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, më 30 janar 2023.

“Prokuroria e Posaçme kundërshton çdo tentativë për intimidim dhe sulme personale ndaj prokurorëve të posaçëm që synon t’i kufizojë ata nga kompetenca dhe përgjegjësia e tyre për të ushtruar ndjekjen penale sipas Kushtetutës dhe ligjit”.

Ky është një tjetër paralajmërim që SPAK bën përmes njoftimit, duke ftuar edhe këdo që ka pretendime për veprime proçedurale, që t’i drejtohet organeve kompetente, si Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

Të fundit

Aktuale