Shqipëria

SPAK sekuestron vilën e Arben Ahmetajt në Hamallaj, e dyta brenda ditës


Prokuroria e Posaçme SPAK ka lëshuar një urdhër sekuestroje për vilën e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, në Hamallaj, duke u bërë kështu e dyta pasuri e sekuestruar brenda ditës, e cila lidhet me të.

Më herët, një vilë në zonën e Palasës, në jug të Shqipërisë, është sekuestruar nga SPAK, ku dyshohet se ajo është pronë e ish-bashkëshortes së Ahmetajt, i cili po hetohet lidhur me çështjen e njohur si “Inceneratorët”.

Vila e vënë nën sekuestro është e njëjta ku u kryen kontrolle më 9 mars dhe për të cilën ish-gruaja e Ahmetajt, nuk ka pranuar se është në pronësinë e saj.

Hetimet për Ahmetajn, SPAK sekuestron një vilë në Palasë

Po ashtu, veprime hetimore janë kryer nga ana e Byrosë Kombëtare të Hetimit sërish, si edhe të përfshirë në aksion kanë qenë edhe efektivë të Policisë së Vlorës.

Ndërkohë që, siç mëson Albanian Post, disa dokumente janë sekuestruar gjatë këtij aksioni të ri, me urdhër të SPAK.

Vetë Ahmetaj, më parë, ka kërkuar nga Apeli i Gjykatës së Posaçme, të shpallë si të kundërligjshëm vendimin për të kontrolluar banesat e ish-gruas së tij, apo të partneres aktuale.

Kjo pasi “nuk është marrë leje nga Kuvendi duke qenë se ai është deputet dhe jeton aty”.

Sipas Ahmetaj bashkëjetuesja nuk është informuar paraprakisht për të pasur praninë e një mbrojtësi ligjor.

Ishte SPAK që bëri me dije disa ditë më parë se Arben Ahmetaj po hetohet më vete në rastin e njohur si çështja e inceneratorëve.

Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete.

Madje, në dosjen ndaj tij, është ndryshuar edhe prokurori hetues, ku më parë ka qenë Klodjan Braho, i cili është zëvendësuar me kërkesën e vetë atij nga prokurorja Enkeleda Millonaj.

Kjo gjë është bërë me vendimin e vetë drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, më 30 janar 2023.

“Prokuroria e Posaçme kundërshton çdo tentativë për intimidim dhe sulme personale ndaj prokurorëve të posaçëm që synon t’i kufizojë ata nga kompetenca dhe përgjegjësia e tyre për të ushtruar ndjekjen penale sipas Kushtetutës dhe ligjit”.

Ky është një tjetër paralajmërim që SPAK bën përmes njoftimit, duke ftuar edhe këdo që ka pretendime për veprime proçedurale, që t’i drejtohet organeve kompetente, si Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

BKH, kontrolle në rezidencat e Ahmetajt

Burime për Albanian Post bënë me dije se kontrolle janë kryer edhe në banesën e ish-bashkëshortes së Ahmetajt, ku nuk është gjetur asgjë e jashtëligjshme.

Teksa, nga ana tjetër, në shtëpinë e partneres së tij në zonën e Gjirit të Lalëzit, është gjetur një shumë parash, si edhe janë sekuestruar disa dokumente pronësie, në emër të ish-bashkëshortes së tij.

Këto të fundit, do të shërbejnë për hetime ndaj ish-zëvendëskryeministrit në çështje.

Në javët e fundit, që prej largimit të Ahmetajt nga funksionet si në Qeveri, ashtu edhe nga detyrat kryesore në PS, ka pasur një shtim të retorikës së tij ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili po ashtu i është kundërpërgjigjur ish-numrit dy të kabinetit.

Në një intervistë televizive të 16 shkurtit, Rama e bëri të qartë se nën ombrellën e tij politike, nuk mban askënd, i cili mund të dalë fajtor në një çështje gjyqësore, duke iu referuar Ahmetajt dhe rastit të inceneratorëve.

Mbi këtë, vetë Ahmetaj komentoi më 23 shkurt, kur i bëri kryeministrit që më së shumti të kryejë rolin e tij dhe jo atë të gjykatësit.

Teksa, kësaj, Rama i është përgjigjur vetëm sot, gjatë një fjale për gazetarët, ku përsiati se “nëse do të kishte bërë rolin e gjykatësit, gjërat do të kishin qenë shumë më keq sot”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore