Shqipëria

Konkurrenca vendos ndalimin e marrëveshjes për patentat, çmimi nuk lëviz


Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur zyrtarisht të ndalojë çdo marrëveshje mes Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe autoshkollave, lidhur me rritjen e çmimit të patentave në vend.

Vendimi i prerë vjen pas pezullimit që vetë autoriteti i bëri më 1 mars rritjes së dakordësuar të çmimeve të kursit të patentave.

Kjo, pasi marrëveshja e nënshkruar midis Drejtorisë së Transportit Rrugor, Drejtorisë së Tatimeve dhe shoqatave të autoshkollave, përcaktonte vendosjen e një çmimi minimal prej 85 mijë lekësh për kursin e patentës.

Sipas arsyetimit, autoriteti e sheh në shkelje ligjore dhe në mënyrë që të ruhet parimi i mbrojtjes së konkurrencës, marrëveshja nuk mundet të hyjë në fuqi.

Më tej, një pikë tjetër është shtuar, ku për një periudhë prej një viti, Autoriteti do të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme tregun e patentave, sipas kategorive përkatëse.

Në rast se autoshkollat vendosin tarifat e reja duke shkelur vendimin e Konkurrencës, rrezikojnë të gjobiten me 10% të xhiros vjetore të vitit të shkuar.

Autoriteti i pati kërkuar institucioneve të përfshira të depozitojnë të gjithë praktikën e ndjekur deri në nënshkrimin e marrëveshjes dhe më tej, ka dalë në përfundimin se kjo procedurë, nuk i përmbush kriteret ligjore.

Sipas marrëveshjes, e cila daton më 16 shkurt, çmimi për teorinë dhe praktikën e marrjes së lejes së drejtimit të kategorisë B, do t’i kushtonte qytetarëve 85 mijë lekë.

Ky do të reflektonte një dyfishim, krahasimisht me vlerën e mëparshme.

Ndryshimi, sipas argumentimit të kohës, ishte bërë për të eleminuar sekserët dhe konkurrencën e pandershme që ka përfshirë tregun e autoshkollave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore