Lajme

Konkluzionet e Këshillit të BE-së: Dënimi i sulmit në Banjë dhe zbatimi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi


Ilustrim

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rrjedha e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës priten të jenë ndër temat kryesore për të cilat do të diskutojnë (26 dhe 27 tetor) liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), në Bruksel të Belgjikës.

Udhëheqësit e 27 shteteve anëtare do të shqyrtojnë mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, në mënyrë që t’i hapet rruga implementimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars).

Këshilli i BE-së do të shpreh shqetësimin e thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ndërsa liderët evropianë do të bëjnë ftesë që kryesit e sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – të nxirren para drejtësisë, por edhe që Kosova e Serbia, pa vonesa dhe pa kushte, t’i përmbushin obligimet e tyre nga procesi i dialogut.

Këto thirrje pritet të jenë në konkluzionet që do t’i miratojnë liderët evropianë, ndërsa në draftin e siguruar nga “Radio Evropa e Lirë”, flitet edhe për hapat drejt zbutjes së tensioneve gjithnjë e më të mprehta në veriun e trazuar të vendit, si dhe për zbatimin e obligimeve që burojnë nga dialogu.

“Këshilli Evropian është thellësisht i shqetësuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Fuqishëm dënon sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023. BE-ja pret që kryesit të kapen dhe të vihen shpejt para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm”.

Liderët e BE-së presin që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve “pa vonesa dhe pa parakushte”, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë – kërkesë që BE-ja e përkushruan “detyrë urgjente” dhe një ndër “hapat ekzistencialë” për aspiratat euro-atlantike.

“Normalizimi i raporteve është një kusht thelbësor për rrugëtimin evropian të të dyja palëve dhe që të dyja rrezikojnë ta humbin rastin e rëndësishëm në mungesë të progresit”, thuhet në fund të pjesës së konkluzioneve kushtuar raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Top-diplomatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermanisë, Italisë dhe Francës, kanë shoqëruar Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në takime të ndara në Kosovë dhe Serbi në fundjavë, në një kohë kur tensionet mes palëve janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë.

E eskalimi i situatës në veriun e trazuar të Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë dhe nivelet e larta vendimmarrëse përgjatë kësaj kohe, megjithëse BE-ja dhe SHBA-të presin nga palët që të rikthehen në tryezën e negociatave nën kujdesin e lehtësuesve evropianë në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore