Lajme

Konjufca: Vitinë e dëmtoi vonesa e kyçjes në garë për kryetar të Prishtinës


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ish-kandidatin për kryetar të komunës së Prishtinës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitinë, e ka penalizuar kyçja e tij me vonesë në fushatë para zgjedhore.

Sipas tij, nuk do të ishte e ndershme nëse Vitia, sa ishte ministër i Shëndetësisë, ta anashkalonte gjendjen me pandeminë COVID-19, gjatë muajve kur situata u rëndua edhe më shumë.

“E ka dëmtuar vonesa e kyçjes në garë dhe nuk kishte si t’ia bënte ndryshe sepse në kohën kur po përgatitej të vizitonte më shumë lagje të Prishtinës, ishte vera kur ishte koha ideale për ta filluar aktivitetin e tij, na goditi vala e tretë e pandemisë”, ka thënë ai.

“Kur u qetësua situata me pandeminë, ai u kyç por ka qenë pak vonë dhe ndoshta kjo ka ndikuar”, është shprehur ai për KTV.

Glauk Konjufca, Kryetar i Parlamentit të Kosovës

Po ashtu, teksa ka folur për shkaqet e humbjes së LVV-së në zgjedhjet lokale, Konjufca ka potencuar se një pjesë e qytetarëve të Kosovës janë ende të frikësuar për ta ndryshuar pushtetin lokal.

“Arsyet e humbjes janë të shumta dhe të ndryshme por jam i bindur që VV-ja nuk ka investuar shumë politikisht në zgjedhjet lokale tradicionalisht. Duhet një përgatitje dhe një fokusim afatgjatë në zgjedhjet lokale”.

Konjufca, ka thënë se ai kishte pritur që LVV-së, të fitonte së paku gjashtë komuna në zgjedhjet lokale.

“Kam menduar se minimumi Vetëvendosja do të duhej të fitonte 6 komuna. Nuk kam pasur emra. Por mendoj se Vetëvendosja tradicionalisht ka qëndruar mirë në qendrat e mëdha urbane, le të themi në 7 qytetet kryesore”.

“Jam i bindur që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, rreth 20 ose 30 për qind e tyre votojnë paksa ende të frikësuar për ta ndryshuar pushtetin lokal. Mendojnë se mund të ketë hakmarrje duke filluar prej mënyrës së si ndahen subvencionet e deri prej mënyrës se si i marrin shërbimet”, ka thënë ai.

“Është një kombinim i trysnisë me klientelizmin”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore