Konjufca takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në takim me presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj.
Altina Marmullaku
15.08.2022 12:56Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me presidentin e ri të Shqipërisë, Bajram Begaj.
Nga takimi mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje, më pas takimi ka vazhduar të jetë i mbyllur.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka nisur më 15 gusht vizitën zyrtare në Kosovë. Ai është pritur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Kjo shënon vizitën e parë jashtë vendit që pas marrjes së mandatit si Kreu i Shtetit.
Begaj do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe delegacionet e dy vendeve.

Në ditën e parë të vizitës në shtetin e Kosovës, Begaj do të zhvillojë homazhe tek varri i presidentit Rugova, vizitë në shtëpinë muze të familjes Jashari si dhe nderime para memorialit të personave të zhdukur.
Në ditën e dytë të vizitës me ftesë të presidentit të Shqipërisë do të zhvillohen në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës takime me përfaqësues të partive politike.
Përkatësisht me kreun e AAK-së Ramush Haradinaj, kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, dhe atë të PDK-së Memli Krasniqi.
Presidenti do të zhvillojë takime edhe me partitë minoritare, komandantin e KFOR-it, dhe trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare, që shërbejnë në KFOR (Pejë).
Vizita e parë zyrtare jashtë vendit, do të mbyllet me një takim me kryetarin e komunës së Prizrenit, dhe vizitën në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.